AKTUALITET, 13 Prill 2018, 11:17

Komisioni i vettingut e kallëzoi për fshehje pasurie, prokuroria "fal" ish-gjyqtarin e Kushtetueses

Komisioni i vettingut e kallëzoi për fshehje pasurie, prokuroria

Pas dorëheqjes së dhënë nga Kushtetuesja dhe kallëzimit të bërë nga Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit për fshehje pasurie, Prokuroria e Tiranës ka vendosur sot të mos fillojë hetimet për ish-gjyqtarin kushtetues Besnik Imeraj.

Imeraj dha dorëheqjen si gjyqtar i Kushtetueses dhe menjëherë pas kësaj, ndaj tij u ndërpre procesi i vettingut.

Komisioni e Vettingut e kallëzoi penalisht atë për fshehje pasurie, kallëzim që u depozitua më pas në Prokurorinë e Përgjithshme. Prokuroria e Përgjithshme e transferoi çështjen në Prokurorinë e Tiranës.

Vendimi për mosfillimin e hetimeve ndaj ish gjyqtarit Imeraj bëhet për mungesë të provave në kallëzim si dhe për mungesë të elementëve të veprës penale.

Vendimi i Prokurorisë i është njoftuar edhe KPP dhe vetë ish gjyqtarit Imeraj. Ky është rasti i parë kur prokuroria rrëzon një kallëzim të KPK.