TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
“Eskobari” i Ballkanit duket se dëshiron të mbyllë shpejt hesapet me drejtësinë, ndërsa kërkoi dje të procedohej me gjykim të shkurtuar.
Kështu, nëse kërkesa pranohet, shmanget shqyrtimi gjyqësor i provave, si dhe përfiton ulje të dënimit me një të tretën, nëse shpallet fajtor.
Gjykata për Krime të Rënda për më shumë se 3 orë, zhvilloi dje seancën paraprake, në fund të së cilës, gjyqtarja Miliana Muça vendosi të kalojë në gjykim dosjen ndaj Klement Balilit dhe të marrë këtë të fundit si të pandehur për 4 vepra penale, për të cilat prokurori Ened Nakuçi kishte çuar kërkesën për gjykim 10 ditë më parë.
Seanca e djeshme fillojë pa praninë e vetë Balilit, por pas kërkesës së mbrojtësit ligjor të tij, Theodhori Sollaku, për gjykim të shkurtuar, u vendos shtyrja e seancës me qëllim që Balili të sillej në sallë, ku do të konfirmonte kërkesën për gjykimin e shkurtuar, shkruan Panorama. Ndërkohë, avokati u njoh edhe me disa akte të reja të prokurorit. Kujtojmë se që në seancën e parë, Klement Balili ka mohuar akuzat e ngritura nga prokurori dhe ka thënë se ai nuk ka lidhje me trafikimin e lëndëve narkotike.
HETIMET
Në ditët në vazhdim pritet që të përcaktohet me short trupi gjykues që do të gjykojë Balilin, i cili do të përballet me katër akuza të ngritura kundër tij, atë të “Trafikut të narkotikëve” në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, “Pastrim parash” dhe “Mosdeklarim të pasurisë”.
Ai dyshohet për trafikimin e rreth 670 kilogramëve kanabis sativa drejt një ishulli grek. Prokuroria e bazon akuzën e saj në disa përgjime të vëna në dispozicion nga autoritetet greke, ku personi i identifikuar me emrin Keli, dyshohet se është Klement Balili dhe në përgjime rezulton se ai udhëzon dy skafistët se ku duhet të merrnin dhe çonin lëndën narkotike. Më tej, personi me emrin Keli ka kontaktuar edhe me shtetasin grek, i cili do të priste mallin në Greqi.
Ndërkohë, burime thonë se prokurori i ka paraqitur Gjykatës edhe prova të tjera të administruara së fundmi, ku janë edhe disa dëshmi. Ndërkohë, nga autoritetet greke dyshohet se grupi për të cilin Balili dyshohet të ketë qenë pjesëmarrës planifikonte të transportonte një sasi të konsiderueshme lënde narkotike canabis sattiva, duke përdorur kamionin që është në pronësi të shtetasve Alifanntis dhe Anagnostopoulos, nga Shqipëria në një vend të paidentifikuar në Europë. Megjithëse nga përgjimet e kryera për këtë rast, personat grekë të dyshuar nuk kanë pasur komunikime.
MBROJTJA
Ashtu si në seancën për vlerësimin e masës, por edhe në prononcimet publike, avokati i Klement Balilit, Theodhori Sollaku, është shprehur se Prokuroria nuk ka prova për akuzat e ngritura, ndërsa shton se prej dy vitesh, nuk është kryer asnjë veprim tjetër hetimor dhe dosja është në të njëjtën gjendje.
“Ne jemi në përfundim të procedurave të fazës së hetimit, do të njihemi me aktet përfundimtare që ka prokurori dhe pastaj, këtu jemi dhe në seancat në vazhdim, do të shikojmë si do të rrjedhin ngjarjet. Megjithatë, një gjë mund t’iu them, që dosja është në atë gjendje që ka qenë dy vite më parë. Provat, për fat të keq, janë të dyshimta, nuk ka asnjë implikim nga asnjë dëshmitar, nuk ka asnjë bisedë telefonike të përgjuar.
Pretendohet se një numër telefoni grek i përket shtetasit Klement Balili, ndërkohë që si në Shqipëri edhe në Greqi, kur blen një numër telefoni identifikohet me kartën e identitetit dhe në këtë aspekt do të thosha që akuza mbetet e dyshimtë. Do të përballemi me Gjykatën për të konkluduar mbi ato që ne pretendojmë”, ka thënë avokati.