AKTUALITET, 25 Janar 2019, 20:40

Zbardhet letra/ Rama informon përfaqësitë diplomatike për Cakajn, “de facto” ministër i Jashtëm

Ministria Për Evropën dhe Punët e Jashtme ka informuar selitë diplomatike në vendin tonë për drejtimin e MEPJ nga Gent Cakaj.

Në një shkresë që ministria u dërgon selive diplomatike thuhet se, “prej datës 23 janar, Kryeministri dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Edi Rama, i delegon zyrtarisht zoti Gent Cakaj kompetencat e plota të Ministrit, për dhjetimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe për përfaqësimin e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme brenda dhe jashtë Republikës së Shqipërisë”.

Genti Cakaj u propozua nga kryeministri Edi Rama për të drejtuar Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, por u refuzua si kandidaturë nga Presidenti Ilir Meta.

Gjatë kësaj kohe, Gent Cakaj ka qenë në detyrën e zëvendësministrit në MEPJ, ndërkohë që më 23 Janar ka marrë drejtimin e këtij institucioni, pasi shefi i qeverisë i dekretuar edhe si Ministër i Jashtëm, i delegoi kompetencat si kryediplomat.