AKTUALITET, 26 Janar 2019, 08:47

Pasi policia u dorëzua, familja e lojtarit të zhdukur financon kërkime private

Pasi policia u dorëzua, familja e lojtarit të zhdukur financon

Familja e lojtarit të zhdukur të Cardiff Cityt, Emiliano Salas, është duke planifikuar t’i financojë vet kërkimet dhe operacionet e shpëtimit, përmes kontraktimit të kompanive private për ta bërë këtë punë.

Kërkimi për sulmuesin argjentinas, i cili u transferua te klubi i Premierligës javën e kaluar, përfundoi të enjten, pasi policia e Guernsey vendosi të mos e vazhdojë këtë proces pasi nuk gjeti asnjë shenjë të aeroplanit gjatë tri ditëve të kërkimit.

Por, familja e Salas nuk është e gatshme të dorëzohet dhe tani është bërë e ditur nga e përditshmja angleze, The Sun, se ata do të paguajë anije dhe aeroplanë për ta gjetur Salan, për ta zbuluar se çfarë i ka ndodhur atij.

Nëna e argjentinasit, Mercedes Sala, është duke udhëtuar sot për në ishujt afër vendit ku dyshohet se është rrëzuar aeroplani. Në këtë vend tashmë ka arritur agjenti i lojtarit të zhdukur, Meissa N’Diaye.

Dje, motra e Salas, Roma, duke qarë, kërkoi nga policia që të mos i ndalin kërkimet derisa ta gjejnë vëllain e saj, i cili është zhdukur prej katër ditësh.

Ju lutem, ju lutem, ju lutem mos e ndaloni kërkimin. Nga thellësia e zemrën time e di se Emiliano është një luftëtar dhe ai dhe piloti janë diku në mes të kanalit. Ata nuk do të dorëzohen, kështu që ju lutem mos i ndalni kërkimet”, ka thënë Romina Sala.

Policia ka bërë të ditur se ka shumë pak mundësi që Sala dhe piloti të kenë shpëtuar. Aeroplani i tyre po udhëtonte nga Nantes në Cardiff dhe u zhduk pasi e humbi kontaktin me qendrën Casquets për kontrollin e trafikut ajror, rreth 13 kilometra larg ishullit Guernsey të Britanisë së Madhe.

Kur e nisi udhëtimin për t’u kthyer te klubi i tij i ri, Sala u dërgoi mesazh miqve të tij duke i thënë se aeroplani ishte duke i bërë disa zhurma të çuditshme.