AKTUALITET, 7 Korrik 2018, 21:17

Kina forcon lidhjet me Europën Lindore, çfarë synon Rruga e Re e Mëndafshit

Kina forcon lidhjet me Europën Lindore, çfarë synon Rruga e Re

Kina ka interes për një Europë të fortë, u shpreh kryeministri kinez, Li Keqiang në takimin e kryeministrave të vendeve të Europës Qendrore, Lindore e Juglindore që zhvillohet në Sofje, i njohur si takimi 16+1.

Shoqëruar nga një sërë delegacionesh me sipërmarrës nga vende të ndryshme ka filluar në Sofje samiti i Europës Qendrore e Lindore me Kinën (07.07). Kryeministrat e vendeve të Europës Qendrore, Lindore e Juglindore takohen në konferencën e njohur, si takimi 16+1, bashkë me kryeministrin kinez, Li Keqiang Në hapje të takimit, kryeministri kinez, Li Keqiang u shpreh, se Kina do të shohë një Europë të fortë dhe të hapur. Kjo është edhe në interesin e Kinës, tha ai.

Ndërsa mikpritësi i takimit, kreu i qeverisë bullgare, Boiko Borisov u shpreh se ky „format nuk ka qëllimin të ndajë, por të bashkojë Europën.” Ai iu referua kështu kritikave të vazhdueshme nga BE, se një takim i tillë me Kinën minon unitetin e Bashkimit Europian. Kooperimi i Kinës me vendet europianolindore alarmon Bashkimin Europian. Diplomatët e Brukselit thonë se strategjia është „përça e sundo”. Në Bullgari Kina po merr pjesë në ndërtimin e centralit atomik, Belene dhe ndërtimin e autostradave dhe linjave hekurudhore.