TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Manjola Prifti, ish-bashkëshortja e Fatmir Ramës, i njohur si Miri i Xhikes dhe i ekzekutuar në ambientet e kompleksit të tij “Kartodromi” në Lundër, 15 vjet më parë, u arrestua në Tiranë, për llogari të Italisë.
Policia tha se në bashkëpunim me Interpol Tiranën kanë bërë arrestimin provizor, me qëllim ekstradimi të shtetases Manjola Prifti, 43 vjeç, banuese në Tiranë.
Sipas Policisë, ajo ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi autoritetet gjyqësore italiane, e kanë dënuar me 7 vjet, 3 muaj dhe 15 ditë burg, për “Pjesëmarrje në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. Por për të njëjtën akuzë ajo ishte arrestuar edhe në vitin 2012 nga Policia e Tiranës, ndërsa Gjykata vendosi masën “arrest shtëpie”.
Nuk dihet se çfarë ka ndodhur gjatë këtyre 6 viteve, që nga momenti kur doli nga qelia më 31 maj të vitit 2012. Madje në atë kohë, Policia njoftonte se, sipas shkresës së mbërritur nga Interpol Roma, Prifi ishte dënuar me 11 vjet heqje lirie. E megjithatë, edhe pse u arrestua me qëllim ekstradimi, ajo nuk u ekstradua në Itali.
ARRESTIMI
NE 2012 E veja e Fatmir Ramës, Manjola Prifti, ishte arrestuar edhe më parë për të njëjtin qëllim nga ana e Policisë së Tiranës. Më 29 maj të vitit 2012, ajo u prangos në një lokal që ishte në pronësinë e saj, në Vaqarr të Tiranës, gjatë një operacioni të skuadrës së Operacioneve Speciale.
Burime nga Policia thanë në atë kohë, se prej tri ditësh autoritetet italiane kishin sjellë një urdhërarresti për arrestimin e Manjola Priftit, pasi në prill të atij viti, ajo ishte dënuar në mungesë me 11 vjet burg, me akuzën e “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike” në bashkëpunim dhe “pastrim parash”.
Menjëherë pasi urdhërarresti i autoriteteve italiane iu vu në dispozicion për ekzekutim Policisë së Tiranës, oficerët e Kërkimit dhe ata të Forcës së Posaçme, nisën verifikime e hetimet në terren për arrestimin e saj. Policia deklaronte se Manjola Prifti ishte dënuar nga Gjykata e Romës, më 27 prill 2012, pas një procedimi penal që kishte nisur ndaj saj në vitin 2005.
Në mungesë të saj, Gjykata italiane kishte vendosur dënimin me 11 vjet heqje lirie, për akuzat “trafik ndërkombëtar droge” në bashkëpunim dhe “pastrim parash”. Ndërsa, sipas të njëjtave burime nga Policia, vendimi i gjykatës, ende nuk i është vënë në dispozicion palës shqiptare, por pritej që të mbërrinte brenda pak ditësh, në mënyrë që Prifti të përballej me togat e zeza në Gjykatën e Tiranës.
AKUZAT
Nga të dhënat paraprake të Policisë së Tiranës, mësohet se Manjola Prifti ka qenë e shpallur në kërkim nga Policia italiane që prej vitit 2003, kohë kur kërkohej edhe ishbashkëshorti i saj Fatmir Rama, i cili u ekzekutua rreth një muaj më vonë.
Në shkurt të vitit 2003, në Ministrinë e Brendshme në Tiranë, mbërriti një kërkesë nga drejtësia italiane nëpërmjet zyrës së kontaktit Interforce dhe sipas të dhënave hetimore, Fatmir Rama kërkohej në shtetin italian, se ishte pjesëtar i një grupi trafiqesh të paligjshme. Sipas të njëjtës kërkesë, Fatmir Rama ishte shpallur në kërkim, që në vitin 1997 në Milano të Italisë, në kuadër të operacionit të koduar “Falco”.
Një operacion, që synonte të godiste një rrjet të fuqishëm të trafikut dhe shpërndarjes së drogës. Në të njëjtën kërkesë, flitej edhe për kryerjen e të njëjtës vepër penale nga Miri i Xhikes, në vitin 2001, që nga përgjimet telefonike, në kuadër të operacionit të koduar “Asterea”, rezultonte se ndodhej në Shqipëri.
Sipas burimeve nga Policia, në veprimtarinë për të cilën është hetuar Fatmir Rama nga Italia dhe shpallur në kërkim, deri në momentin e anulimit të urdhërarrestit pas vrasjes së tij, ishte hetuar për disa vite edhe e shoqja, Manjola Prifti.
PANORAMA