TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ky është niveli më i lartë që nga 2009-a (shih grafikun), kur u konstatua një rrjedhje e depozitave nga sistemi bankar për shkak të frikës që u shkaktua në atë kohë nga efektet e krizës ekonomike globale. Në janar dhe në shkurt, paraja jashtë bankave ka shënuar ulje, por sërish ajo mbeti në 20.6% të total, rekord i tetë viteve të fundit.
Pasi zbriti në shkurt 2013 në 16.5% të totalit të parasë gjithsej, të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se niveli i parasë jashtë bankave filloi të rritej sërish, duke arritur në 20.2% në qershor 2017. Kjo kohë përkon me zgjedhjet e përgjithshme, ku tradicionalisht ka një rritje të parasë cash në qarkullim. Rritja ka vijuar dhe në muajt në vijim, për të arritur në 20.9% të totalit në fund të vitit.
Hyrja e parave nga kanalet informale dhe rënia e depozitave në lekë vitet e fundit, për shkak të interesave të ulëta janë dy arsyet kryesore që kanë ndikuar në këtë tendencë. Nga ana tjetër 2017-a ishte një vit zgjedhor dhe gjithnjë në periudhat zgjedhore konstatohet një rritje e parasë jashtë bankave, për shkak të shpenzimeve të mëdha që kryhen në periudha zgjedhore.
Në krahasim me vendet e Eurozonës, apo edhe të rajonit, Shqipëria ka një nivel tepër të lartë të parasë që qarkullon jashtë kanaleve bankare. Në Eurozonë, sipas të dhënave nga Banka Qendrore Europiane, në shtator 2017, niveli i parasë jashtë bankave ishte sa 9.2% e totalit. Në Maqedoni, ky tregues, sipas të dhënave të bankës qendrore përkatëse ishte 8.2% në fund të shtatorit 2017. Në Serbi ishte 6.5% e totalit, sipas të dhënave të Bankës Qendrore Serbe, që i referohen fundit të muajit gusht.
Në të kundërt, paraja gjithsej në ekonomi (përfshirë depozitat pa afat, dhe me afat në lekë e valutë) ka shënuar në vitin 2017 rritjen më të ulët që nga viti 2005 kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat, duke u zgjeruar me vetëm 26 milionë euro.
Teoritë ekonomike sugjerojnë se një rritje e fortë në paranë gjithsej në mënyrë tipike ul normat e interesit, që nga ana e vet gjeneron më shumë investime dhe vë më shumë para në duart e konsumatorëve, duke nxitur shpenzimet. Bizneset reagojnë duke porositur më shumë lëndë të para dhe duke rritur prodhimin. Rritja e aktivitetit të biznesit shton kërkesën për punë. E kundërta mund të ndodhë në rast se oferta e parasë bie ose rritja e saj ngadalësohet. Fatkeqësisht kjo e fundit duket se po ndodh dhe në Shqipëri, siç e tregojnë qartë shifrat e Bankës së Shqipërisë./Monitor