AKTUALITET, 9 Janar 2018, 12:20

Keqtrajtoi gruan dhe i theu kafkën fëmijës, boksieri shqiptar del para gjyqit

Keqtrajtoi gruan dhe i theu kafkën fëmijës, boksieri shqiptar del

Një 30-vjeçar shqiptar kikbokser ka dalë para bankës së të akuzuarit në gjykatën Penale të Bazelit, pasi akuzohet se ka tentuar që të vrasë bashkëshorten e tij dhe ka plagosur rëndë fëmijën e tyre.

‘Basellandschaftliche Zeitung’ dhe ‘Telebasel.ch.’ shkruajnë se herën e fundit, goditja e tij mbi gruan ka pasur pasoja të rënda edhe për foshnjën e tyre, pasi nëna po e mbante në krah. Albinfo.ch shkruan se foshnja kishte pësuar me atë rast thyerje të kafkës. Ngjarja në fjalë ka ndodhur në mars të vitit të kaluar. Teksa shoqërohej nën masa të rrepta sigurie, të lidhura me pranga si duart dhe këmbët, shqiptari nga Kosova ka hedhur poshtë të gjitha akuzat. Ndërkohë, më herët ka qenë i dënuar për rrëmbim dhe çështje me trafikun.

Bashkëshortja e pranishme në sallë, dukej e frikuar dhe gjatë marrjes në pyetje disa herë ka shpërthyer në lot. Ajo thotë se e ka dashuruar burrin e saj dhe për këtë arsye e ka falur, ndërsa bindte herë pas here edhe në kundërshtim me deklaratat e saj. Në fillim të marrjes në pyetje, nën presionin e burrit, gruaja kishte dhënë deklaratë tjetër. Në sallën e gjyqit ka qenë e pranishme edhe familja e të pandehurit, duke bërë kështu që situata të jetë shumë e tensionuar. Sakaq, Gjykata Penale e Bazelit pritet që të japë vendimin për shqiptarin ditën e enjte.