AKTUALITET, 9 Janar 2018, 11:28

Shpërthen kreu i Gjykatës së Lartë: Politikanët më kanë kërkuar pezullimin e vendimeve

Shpërthen kreu i Gjykatës së Lartë: Politikanët më

Gjykata e Lartë është në kolaps. Këtë ka nënkuptuar kryetari i gjykatës, Xhezair Zaganjori, i cili prej kohësh ka ngritur disa problematika që shqetësojnë gjyqësorin.

Xhezair Zaganjori

Numër i reduktuar gjyqtarësh dhe këshilltarësh ligjorë deri në pamundësi për plotësimin e trupit gjyqësor dhe çështje që akumulohen çdo ditë për shqyrtim. Po si e sheh kreu i Gjykatës së Lartë situatën, ndikimin e politikës në sistem…

Në intervistën ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, Xhezair Zaganjori shpjegon të gji-tha detajet se si mund të shpëtojë sistemi i drejtësisë nga “prangat”.

  1. Zaganjori, prej disa kohësh Gjykata e Lartë funksionon me vetëm nëntë anëtarë. Cilat janë problematikat e hasura dhe pasojat që sjellin në dëm të qytetarëve?

Më lejoni para së gjithash t’ju uroj Gëzuar Vitin e Ri, ju dhe lexuesve tuaj dhe t’ju falënderoj për intervistën e për gatishmërinë që keni për të bërë të njohur problematikën me të cilën përballet aktualisht Gjykata e Lartë, në këtë fillim viti! Në fakt, për të gjithë sistemin e drejtësisë dhe veçanërisht për Gjykatën e Lartë, zgjatja tej çdo lloj parashikimi e reformës në drejtësi, ka shkaktuar një sërë problemesh që kanë të bëjnë kryesisht me zvarritjet e gjykimeve, rritjen e backlog-ut dhe cenimin apo dëmtimin e efikasitetit të sistemit.

Kjo situatë është përkeqësuar veçanërisht vitin e fundit, me zvogëlimin e ndjeshëm të numrit të gjyqtarëve dhe këshilltarëve në Gjykatën e Lartë. E kam bërë të ditur disa herë këtë gjendje të pazakontë, e cila dëmton në radhë të parë, e mbi të gjitha, interesat e qytetarëve. Praktikisht nga 19 gjyqtarë, aktualisht jemi 9, pra nga tre për çdo kolegj, në një kohë që shumica e gjykimeve për çdo kolegj duhet bërë më 5 gjyqtarë.

Ndërsa numri i këshilltarëve ligjorë është reduktuar nga 34 në 10. Në këtë situate, kam orientuar kolegjet që të përqendrohen në një kategori të caktuar çështjesh që kanë natyrë më sensitive. Si të tilla mund të përmend çështjet e masave të sigurisë në gjykimin penal, pensionet ushqimore dhe ato të pleqërisë, konfliktet e punës, çështjet e ardhura rishtazi nga Gjykata Kushtetuese, etj.

Duhet të theksoj, gjithashtu, se ju kam kërkuar të gjithë gjyqtarëve, që në zbatim të urdhrit mbi kriteret e përshpejtimit të çështjeve, të kenë parasysh veçanërisht shqyrtimin me përparësi të atyre çështjeve për të cilat është vendosur pezullimi i ekzekutimit të vendimeve të gjykatave të apelit. Kjo është posaçërisht e domosdoshme ne gjykimin administrative dhe atë civil. Nga ana tjetër, janë marrë masa administrative për plotësimin e ko-legjeve me gjyqtarë të gatshëm, përmes një skeme gatishmërie, e cila ndihmon në plotësimin e trupave gjyqësore, për çdo ditë gjykimi.

Edhe vetë personalisht, pavarësisht ngarkesave për shkak të funksionit, kam qenë i pranishëm në mënyrë të vazhdueshme në gjykime të cilat ligjërisht kërkojnë shqyrtim sa më të shpejtë. Më këtë rast dua të them se, veçanërisht dy muajt e fundit më është dashur të drejtoj seanca edhe në gjykime të çështjeve penale me ndjeshmëri të lartë, për shkak të nevojës së respektimit të parimit të gjykimit të paanshëm. Janë çështje të shqyrtuara disa herë në Gjykatën e Lartë, e në këto kushte, është pothuajse e pamundur plotësimi i trupës gjyqësore.

Çështjet që presin radhën për të gjykuar kapin një numër rekord. Në gjuhën e shifrave, mund të na thoni sa është stoku?

Sigurisht që në kushtet e këtyre mungesave, rritet edhe numri i çështjeve që presin të shqyrtohen. Problemi i numrave është i thjeshtë. Me gjithë këto probleme e mungesa, ritmet individuale të gjykimit për çdo gjyqtar, kanë mbetur relativisht të larta, varësisht edhe vullnetit të vetë gjyqtarit respektiv. Këtë vit janë gjykuar rreth 4000 çështje, që nuk janë pak.

Megjithatë, numri i çështjeve të ardhura shtohet çdo ditë. Aktualisht, numri i çështjeve arrin në 22.500, të ndara përafërsisht në; 14.000 dosje civile, 6000 dosje administrative dhe 2500 penale.

Artikulohet shumë për ndërhyrje të politikës në punët e drejtësisë. Sipas jush a ekziston një fenomen i tillë?

Nuk e di se në ç’kuptim e thoni këtë. Nëse flitet në përgjithësi për punët e drejtësisë e posaçërisht për gjyqësorin, besoj se është e qartë që përgjigja është po. Edhe vete Montesquieu, që në gjysmën e dytë të shekullit të 18, kur fliste për ndarjen e pushteteve, e përshkruante gjyqësorin si pushtetin “e zbehtë dhe të mjerë” përballë dy pushteteve të tjera, atij legjislativ dhe ekzekutiv.

Por SH.B.A. dhe shtetet e tjera të Evropës Perëndimore si Britania e Madhe, Gjermania, Franca, etj., kanë ditur ta forcojnë dukshëm pavarësinë e këtij pushteti, aq i domosdoshëm për demokracinë si formë e qeverisjes, për shtetin e së drejtës dhe mbrojtjen e interesave të individit. Ne jemi shumë larg këtyre standardeve.

Edhe pas gati 30 vjet ndryshimesh, ende politika përpiqet ta trajtojë gjyqësorin apo drejtësinë në përgjithësi, si oborrin e saj. E kur nuk ka bindje,…. Një vendim merr një gjyqtar apo prokuror, e kur ai nuk i pëlqen apo prek interesat e politikës, zbulohet menjëherë e shkuara, deri tek gjeneza personale e ndoshta edhe familjare e gjyqtarit apo prokurorit. Edhe për sa i përket çështjeve konkrete, nuk mund të them se nuk ekziston fenomeni i ndërhyrjes.

Ka pasur ndonjë rast që edhe mua më janë drejtuar politikanë të ndryshëm, të cilët në emër të personave të përfshirë në konflikte në zonat e tyre zgjedhore, etj., më kanë kërkuar përshpejtimin e gjykimit, zgjidhjen e konfliktit apo pezullimin e ndonjë vendimi penal. Jam përpjekur t’u shpjegoj se ata nuk mund të ndërhyjnë në çështje konkrete, qoftë si persona privatë apo funksionarë shtetëror.

Javët e fundit u zgjodh kryeprokurorja e përkohshme, në një situatë tejet të tensionuar që u pasua dhe me akte dhune ne Kuvend. A është kushtetuese procedura e ndjekur nga Kuvendi për zgjedhjen e kryeprokurorit?

Është çështje e politikës dhe nuk më takon të ndërhyj. Sigurisht që në interpretim të kuadrit kushtetues dhe ligjor, edhe unë si jurist, mund të kem mendimet e mia për këtë rast. Por detyra funksionale më pengon të shprehem publikisht.