AKTUALITET, 9 Janar 2018, 10:18

Bie besimi tek ekonomia, qytetarët dhe biznesi, vlerësime negative

Perceptimi i biznesit dhe qytetarëve mbi gjendjen e ekonomisë shënoi një përkeqësim të ndjeshëm në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Lajmin e ka bërë publik Banka e Shqipërisë.

"Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) ra me 3.9 pikë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2017, duke qëndruar rreth nivelit 110," thuhet në vrojtimin e fundit të biznesit dhe konsumatorëve, që bën BSH.

Sipas Bankës, perceptimi për situatën ekonomike është përkeqësuar në të gjitha degët e ekonomisë, përveç shërbimeve.

"Rënia e Treguesit të ndjesisë ekonomike pasqyroi rënien e besimit në sektorët e ndërtimit, tregtisë e industrisë, si edhe rënien e besimit të konsumatorëve,"  thuhet në vrojtim.

Rënia më e fortë është shënuar në sektorin e ndërtimit, me 12.4%, ndërsa besimi në sektorin e industrisë u përkeqësua me 9.9 pikë.

Qytetarët pesimistë

Treguesi i besimit konsumator shënoi rënie me 0.7 pikë përqindje në tremujorin e katërt, duke ndërprerë rritjen e dy tremujorëve të mëparshëm. Sipas Bankës së Shqipërisë,  qytetarët vlerësojnë se situata e tyre financiare është përkeqësuar dhe po kështu kanë pritshmëri me pesimiste

"Dinamika e besimit konsumator u përcaktua nga rënia e tre prej balancave përbërëse të tij: situata e përgjithshme ekonomike e pritur në vend (-3.2 pikë përqindje), situata financiare e pritur e familjes (-2.7 pikë përqindje) dhe situata e të ardhurave dhe shpenzimeve (-2.2 pikë përqindje,"- përfundon vrojtimi.

Image