TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Haki Çako duket se do të vijojë detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për aq kohë sa ministri i Brendshëm do të evidentojë shkelje në kryerjen e detyrës. Çako prej 2.5 vjetësh drejton uniformat e policisë, ndërsa zëvendësoi në këtë detyrë Artan Didin.
Çako morri drejtimin e policisë pas operacionit në Lazarat kundër kultivimit të lëndëve narkotike, por në periudhën e tij, sasia e lëndëve narkotike të prodhuara ka qenë në nivelet më të larta.
Kryepolici shqiptar nuk arriti të godiste jo vetëm grupet kriminale të trafikut të lëndëve narkotike, por edhe lidhjet e tyre me funksionarë të policisë. Ndërkohë që në fund të muajit gusht, ai denoncoi përmes një letre fikjen e radarëve që kontrollohen nga forcat e ushtrisë, veprim ky që kishte çuar në dështimin e një operacioni policor. Denoncimi i Çakos u kundërshtua nga Ministria e Mbrojtjes, ndërsa javët që pasuan provuan se kryepolici kishte të drejtë.
Gjithsesi Çako, pavarësisht denoncimit të fikjes së radarëve, nuk pati sukses në luftën kundër narkotikëve, një çështje sensitive jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë.
Pikërisht për kanabizimin dhe trafikun e drogës, sot nën hetim është ish-ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, ndërkohë që kryepolici vijon detyrën e tij i pashqetësuar.
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, deklaroi sot se nuk mund të shkarkonte kryepolicin sepse këtë e kërkonte një parti politike, por shtoi se nëse do të kishte probleme me zbatimin e ligjit atëherë vërtet do të ishte shqetësuese.
Por në anën tjetër vetë Xhafaj ka pranuar dështimin e policisë në luftën ndaj kanabisit, ka pranuar implikimin e punonjësve të policisë, ka ngritur strukturën e vettingut për uniformat blu.
Mosveprimi ose mospërmbushja e detyrës janë shkaqe të mjaftueshme për shkarkimin e një zyrtari dhe në rastin konkret vështirë se mund të justifikohet.
Por emri i Haki Çakos është i lidhur edhe me një skandal, atë të pajisjes Imsi Catcher, e futur në Shqipëri jashtë çdo rregulli, e padeklaruar në doganë dhe për të cilën u tha se e kishte sjellë Interforce për të trajnuar policinë shqiptare. Pajisja, sipas deklarimeve nuk kishte mundësi përgjimi, por vetëm për identifikimin e numrave, megjithëse dyshimet për ndërmarrjen e përgjimeve të paligjshme, detyruan organin e akuzës të niste hetimet ndaj kryepolicit Çako. Në atë kohë ai u pezullua nga detyra dhe prokuroria mbylli çështjen, pas disa javësh nga nisja e hetimeve.
Për pajisjen Imsi Catcher u ngritën shumë dyshime dhe hipoteza, u tha se ajo ishte lëvizur në disa qytete përfshi Fierin, Vlorën dhe Tiranën, ishte futur në burgje, por gjithçka mbeti një mister, për aq kohë sa pajisja nuk u dorëzua për ekzaminim pranë prokurorisë . /Gjergji Koja/Syri.net/