TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Gudar Beqiraj dha sot në mbrëmje dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Akademisë së Shkencave së Shqipërisë, edhe pse ai u votua për të kryer këtë detyrë më 4 shtator, me 28 vota pro dhe 3 kundër. Pra, vetëm dy muaj më parë.
Vetëm një javë më parë, Kryeministri Edi Rama i preu fondet Akademisë së Shkencave, duke deklaruar se nuk do të akordonte më para në buxhetin e vitit 2018, ndërkohë që nuk i kishte njohur zgjedhjet e shtatorit duke i konsideruar si farsë.
Por, cila është kronologjia e luftës midis Kryeministrit Edi Rama dhe akademikëve.
Në shtator të vitit 2009, Gudar Beqiraj zgjidhet Kryetar i Akademisë së Shkencave, duke pasuar Teki Biçokun. Beqiraj ishte asokohe nënkryetar i Akademisë. Akademiku Beqiraj qëndroi në detyrë katër vjet: 2009-2013.
Më 2 shtator 2013, arkeologu Muzafer Korkuti zgjidhet Kryetari i ri i Akademisë së Shkencave, duke zëvendësuar matematikanin Gudar Beqiraj, të cilit i mbaroi mandati i drejtuesit. Ky i fundit këmbeu vendin me Korkutin, duke zbritur një shkallë më poshtë, e duke u bërë nënkryetar i Akademisë.
Pas katër vjetësh, më 4 shtator 2017, Gudar Beqiraj zgjidhet sërish kryetar i Akademisë së Shkencave. Me 28 vota pro dhe 3 kundër anëtarët e Asamblesë zgjodhën Beqirajn si kryetarin e ri, i cili më herët mbante postin e zv.kryetarit.
Në fakt, i gjithë procesi ishte një rokadë mes dy posteve kryesore në këtë institucion pasi ish-kryetari Muzafer Korkuti tanimë do të mbante postin e numrit dy të këtij institucioni.
Pak minuta para fillimit te procesit të cilin e quajti farsë, kryeministri Edi Rama reagoi duke paralajmëruar një përplasje finale me Akademinë e Shkencave.
“Nëse Akademia e Shkencave nuk reformohet nuk do të marrë asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit e do të duhet të dorëzojë godinën”, shkruante Rama, ditën e zgjedhjeve”, më 4 shtator 2017.
Më 30 tetor 2017, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka sqaruar edhe një herë çështjen e Akademisë së Shkencave duke e krahasuar me një “nëndetëse të kalbur që rri në rërë”.
“Akademia sovjetike e shkencave duhet të hyjë në një proces refome jo të diktuar nga shteti. Por paratë e shpenzuar kot për të tundur flamurin sovjetik, edhe 27 vite pas rënies së komunizmit, do të shkojnë për kërkimin shkencor në universitet”.
Sipas Ramës, gjate vitit 2016, Akademia e Shkencave kishte nga buxheti i shtetit 96 milionë lekë të reja dhe zero të ardhura nga projekte apo subvencione.
Dje, Rama gjatë një takimi me studentët e rinj dha mesazhin e fundit: “Kemi një Akademi Shkencash që i ka mbetur vetëm emri”.
Sot, në mbrëmje kryetari i zgjedhur i Akademisë së Shkencave, 69-vjeçari Gudar Beqiraj, i cili kishte marrë titullin akademik në vitin 2003, deklaroi dorëheqjen e tij.
E themeluar në vitin 1972, Akademia e Shkencave aktualisht ka 26 anëtarë, akademikë; 13 anëtarë, akademikë të asociiuar dhe 26 anëtarë nderi.
TPZ.AL