AKTUALITET, 25 Dhjetor 2020, 12:48

“Jemi goditur ekonomikisht”, kreu i shoqatës së bareve dhe restoranteve: Na mbyllën në 20:30 që të mos na dëmshpërblejnë

“Jemi goditur ekonomikisht”, kreu i shoqatës së bareve dhe


Në një intervistë për “Fax News”, Enri Jahaj, i cili është kryetari i shoqatës së bareve dhe restoranteve ka folur lidhur me vendosjen e fashave të reja të orareve duke zbritur në orën 20: 30 nga 22:00 që ishte deri më 24 Dhjetori për të shmangur grumbullimet në bare dhe restorante  gjatë festave të fundivit.

Jahaj theksoi se ky vendim i qeverisë, i ka gjetur të papërgatitur këto biznese, që detyrohen të largojnë klientët e tyre.

Ai u shpreh se shteti ka zgjedhur këtë orar,  pasi nuk do të dëmshpërblejë bizneset për dëmet ekonomike, që po kalojnë si shkak i pandemisë.

“Kufizimet e reja, janë një vendim jo normal, s’ka një argument se përse ky orar një orë e gjysmë ,do të na shpëtojë nga virusi, nuk dimë t’i japim asnjë lloj zgjidhje dhe jemi të shokuar.

Tani klientët duhet të largohen më herët, jemi në fazën që një vakt na ka humbur, si të mbylleshim në orë 6 ose në orën 3 do të ishte e njëjta gjë.

Shteti me sa kuptojmë ka vendosur të na mbyllë në orë 8 e 30 që të mos na dëmshpërblejë diçka”, theksoi Jahaj.

Kryetari i shoqatës së bareve dhe restoranteve, theksoi se ky sektor është ndër më të goditurit që prej fillimit të pandemisë dhe se qeveria nuk po përdor politika lehtësuese për të përgjysmuar taksat apo të japë një paketë ndihme, siç ndodh në vende europiane.

“Nëse ne do të merrnim një ndihmë nga shteti, më mirë të mbylleshin fare, por le të vihej një metër për të gjithë.

Në këtë pikë vetëm bar-restorantet janë bizneset më të kërcënuar dhe jo të tjerët.

Jemi të goditur shumë ekonomikisht, që nga marsi për pjesën turistike, deri më sot kemi shtrënguar rripin dhe jemi në pikën që çdo resurs tonin për të mbajtur në këmbë aktivitete, ndërsa sot jemi në gjendje që nuk i mbajmë dot sepse të ardhurat dhe xhiroja ditore janë të pamjaftueshme, personeli duhet shkurtuar, taksat janë po njësoj ne nuk na është përgjysmuar asgjë dhe s’ka asnjë ndihmë nga shteti si në vendet e tjera” theksoi kryetari i shoqatës së bareve dhe restoranteve.