TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në fund të intervistë-shpëlarjes së Edi Ramës në Opinion, transmetuar në vigjilje të Krishtlindjeve, gazetari Blendi Fevziu, u shëtit nga kryeministri në disa dhoma me rafte, ku ishin depozituar dhurata që Edi Rama ka marrë gjatë detyrës si kryeministër.
Edi Rama u betua se këto dhurata, një tufë me qelqurina, filxhanë, stilolapsa, por edhe një orë me diamante, dhe disa litografi të autorëve të njohur, me çmime shumë qesharake, nuk i ka marrë në shtëpi, në vilën e Surrelit, pra nuk i ka vjedhur, por i ka lënë në Kryeministri që të krijohet fondi i dhuratave.
Gazetari Blendi Fevziu, pasi u bë me dije nga afër, për këto qelqurina, por sidomos për orën me diamante, e pyeti kryeministrin, se si ruhen këto objekte dhe a ka Rama një çelës?
Kryeministri e siguroi gazetarin, se ai nuk ka çelës, por dhomat e dhuratave, ruhen nga rojet dhe kamera të posaçme.
Më herët gjatë intervistës, Edi Rama i shpjegoi Fevziut, se si ka jetuar me qira dhe se si nuk i ka qejf paratë, udhëtimet dhe restorante, por mbaron fare pas librave. Ai shpjegoi se si i ka rënë një fat i madh, që u martua me Linda Ramën dhe u bë me shtëpi në Surrel.
Rrëfimi për jetën e thjeshtë që ka bërë nëpër shtëpi me qira, por sidomos shëtitja që i bëri Fevziut tek dhomat e dhuratave, që kryeministri nuk i ka çuar në shtëpi, por i'a ka lënë shtetit shqiptar si pasuri, e shfaqën Edi Ramën në vigjilje të Krishtlindjeve, si një nga njerëzit më të ndershëm që ka parë Shqipëria, që nga koha e Ismail bej Vlorës. Kjo u vu re edhe nga habia që shfaqi vetë Blendi Fevziu, për këtë njeri kaq të ndershëm, që nuk prek me dorë as dhuratat që i sjellin, merre me mend t'i shkojë mendja tek paratë publike...
Nuk na mbetet gjë tjetër, veçse ta falenderojmë Edi Ramën, që nuk i ka vjedhur filxhanët, stilolapsat, por sidomos orën me diamante, dhuruar në një nga vendet arabe.
/TPZ.al/
