AKTUALITET, 8 Maj 2018, 20:46

Izet Haxhia mbërrin në Tiranë, ja si duket i arrestuar

Ish-truproja i Sali Berisha, Izet Haxhia, është ekstraduar sot në mbrëmje nga Turqia.

Haxhia ka mbërritur në “Rinas” rreth orës 20:10.

Raportohet se ai do të dalë nga dera e pasme e avionit, dhe jo nga dera ku zbresin zakonisht udhëtarët.

Ai do të shoqërohet nga forcat e policisë në ambientet e burgut 313.

Në muajin prill, ai u vetëdorëzua në policinë turke dhe lajmin e bëri vet të ditur përmes rrjeteve sociale.

Izet Haxhia është dënuar nga gjykata shqiptare me 25 vjet burg për vrasjen e Azem Hajdarit, akuzë të cilën ai nuk e ka pranuar kurrë, pasi për të fajtor i vetëm është ish-kryeministri Sali Berisha.

Ai ka deklaruar se vjen në Shqipëri me idenë për rihapjen e dosjes, megjithatë nuk dihet nëse gjykata do ta marrë parasysh kërkesën e tij.

Njoftimi i policisë:

Ekstradohet nga Turqia, Izet Haxhiaj , i dënuar me 25 vjet burg për vrasje

Nga Specialistët e Interpol Tirana u bë ekstradimi nga Turqia drejt Shqipërisë, i shtetasit shqiptar:

Izet Haxhiaj, 52 vjeç, lindur në Babinë, Tropojë.

Shtetasi Izet Haxhiaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendim penal nr. 316, datë 29.04.2002 e ka dënuar me 25 vjet burg për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim”, “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Vrasje me paramendim të mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 79/c-25, 78-25 dhe 78-25/22 të Kodit Penal.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:

Në datë 12.09.1998, rreth orës 21:15, pranë ish Selisë Qëndrore të Partisë Demokratike në Tiranë, janë vrarë me armë zjarri shtetasit A. H., deputet i Kuvendit të Shqipërisë, shtetasi B. Ç. truproja e tij dhe është plagosur rëndë shtetasi tjetër Z. N.

Hetimet kanë zbuluar se shtetasi Izet Haxhiaj, ka qenë një prej autorëve të kësaj ngjarje.