AKTUALITET, 8 Maj 2018, 20:24

Mbërrin në Rinas Izet Haxhia

Në aeroportin e Rinasit kanë shkuar forcat e policisë për të pritur Izet Haxhinë, ish truprojën e Sali Berishës i cili u ekstradua nga Turqia. Ai është dënuar për vrasjen e deputetit Azem Hajdari, por Haxhia pritet të kërkojë rihapjen e procesit hetimor, pasi pretendon se ka prova të tjera që faktojnë se ai s’ka asnjë lidhje me ngjarjen. Haxhia vazhdimisht ka hedhur akuza ndaj Berishës për këtë cështje, por edhe për një seri ngjarjesh të tjera. Ekstradimi i tij i beftë pas kaq vitesh pritje, ngjan të jetë një lëvizje taktike për ta përdorur atë politikisht kundër Berishës apo politikanëve të tjerë të së djathtës. Megjithatë këto janë vetëm në kuadër të hamendësimeve. Mbetet të presim se si do të rrjedhin gjërat në vijim.

Njoftimi i policisë:

Interpol Tirana Ekstradohet nga Turqia, Izet Haxhiaj , i dënuar me 25 vjet burg për vrasje Nga Specialistët e Interpol Tirana u bë ekstradimi nga Turqia drejt Shqipërisë, i shtetasit shqiptar: Izet Haxhiaj, 52 vjeç, lindur në Babinë, Tropojë. Shtetasi Izet Haxhiaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendim penal nr. 316, datë 29.04.2002 e ka dënuar me 25 vjet burg për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim”, “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Vrasje me paramendim të mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 79/c-25, 78-25 dhe 78-25/22 të Kodit Penal. Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur: Në datë 12.09.1998, rreth orës 21:15, pranë ish Selisë Qëndrore të Partisë Demokratike në Tiranë, janë vrarë me armë zjarri shtetasit A. H., deputet i Kuvendit të Shqipërisë, shtetasi B. Ç. truproja e tij dhe është plagosur rëndë shtetasi tjetër Z. N. Hetimet kanë zbuluar se shtetasi Izet Haxhiaj, ka qenë një prej autorëve të kësaj ngjarje.

 

3