TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Policia e Tiranës ka reaguar lidhur me lajmin duke marrë shkas nga videot e shpërndara në rrjetet sociale dhe shpjegon se ngjarja ka ndodhur pas Pallatit të Kulturës. Atje policia ka gjetur një prej italianëve të lënduar lehtë si dhe dy prej shokëve të tij. Fillimisht, atyre u ishte ofruar ndihmë nga Policia Bashkiake dhe më pas djali është dërguar në spital.
Italiani është larguar me dëshirë pa përfunduar ekzaminimet mjekësore, ndërsa as ai dhe as dy të tjerët nuk kanë bërë kallëzim në polici. Nga pamjet e kamerave, ka rezultuar se i lënduari ishte konfliktuar me një grup të miturish.
Njoftimi i plotë:
Në lidhje me një video të publikuar, ku shfaqet një shtetas italian i dëmtuar lehtë, sqarojmë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00, më datë 29.07.2026, në zonën pas Pallatit të Kulturës, dhe është trajtuar menjëherë nga Policia për veprën penale "Plagosja e lehtë me dashje".
Konkretisht, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas njoftimit të marrë nga Salla Operative për një konflikt, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar shtetasin italian G. M., me dëmtime të lehta sipërfaqësore. Në vendngjarje ndodheshin edhe dy shokët e tij, të cilët e shoqëronin. Shtetasi italian ishte ndihmuar fillimisht nga punonjës të Policisë Bashkiake, të cilët ndodheshin në afërsi.
Më pas, shtetasi është transportuar për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas deklarimeve të personelit mjekësor dhe këqyrjes së kartelës mjekësore, ai ka qenë i vetëdijshëm, jashtë rrezikut për jetën dhe me dëmtime të lehta sipërfaqësore në gjymtyrë. Pas marrjes së ndihmës së parë, ai është larguar me dëshirën e tij, pa përfunduar ekzaminimet mjekësore dhe pa njoftuar stafin mjekësor për largimin e tij.
Gjithashtu ky shtetas nuk ka pranuar të bëjë kallzim në lidhjen me konfliktin dhe personat që e kishin dëmtuar. Edhe dy shtetasit që e shoqëronin nuk kanë dhënë informacion lidhur me rrethanat e konfliktit. Pavarësisht mungesës së kallëzimit nga shtetasi italian, grupi hetimor ka vijuar veprimet hetimore, duke këqyrur pamjet filmike, nga të cilat ka rezultuar se shtetasi italian ishte përfshirë në një konflikt me një grup të miturish në pjesën e pasme të Pallatit të Kulturës.
Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e personave të përfshirë dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.