AKTUALITET, 28 Mars 2019, 08:43

Protesta e opozitës, ja çfarë pritet të ndodhë sot para Kuvendit

Protesta e opozitës, ja çfarë pritet të ndodhë sot

Opozita do të protestojë sot sërish përpara Parlamentit, duke kërkuar largimin e Kryeministrit Edi Rama.

Përfaqësuesit e opozitës do të rrethojnë që në orën 09:30 sallën e seancave plenare, ku deputetët e maxhorancës dhe përfaqësuesit e rinj të opozitës do të mblidhen për diskutimin e projektligjeve.

Pas mbledhjes së kryesisë dhe ish-përfaqësuesve të Grupit Parlamentar të PD-së nga Lulzim Basha të gjithë strukturat e demokratëve janë mobilizuar për të sjellë sa më shumë protestues në shesh. Basha kërkoi angazhim maksimal nga drejtuesit politikë më të lartë në PD, duke e cilësuar si jo të mirë protestën e 21 shkurtit që opozita zhvilloi përpara Parlamentit.

Burime të “Panorama” bëjnë me dije se deri në orët e vona të së mërkurës strukturat e PD-së në të gjithë vendin kanë zhvilluar takime me anëtarët e PD-së ku kanë bërë thirrje për të qenë prezent sot përpara Parlamentit.

Kjo është protesta e 7-të që opozita zhvillon për largimin e Kryeministrit Edi Rama në harkun kohor të 40 ditëve.

Mësohet se sot në protestë do të sillet në vëmendje fakti që edhe Presidenti serb, Vuçiç, ka vendosur ta çoj vendin drejt zgjedhjeve, shembull që do t’i sugjerohet edhe kreut të qeverisë shqiptare.