AKTUALITET, 27 August 2026, 09:45

Investimi/ 'Korridori Blu', Karakaçi: Autostrada Kashar–Rrogozhinë nis ndërtimin brenda këtij viti

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka bërë të ditur se projekti i autostradës Kashar–Rrogozhinë do të nisë ndërtimin brenda këtij viti.

Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, ai theksoi se janë përmbyllur të gjitha detajet e fundit të projektit dhe tashmë Autoriteti Rrugor Shqiptar ka miratuar dokumentin e zbatimit.

Ai e ka cilësuar këtë projekt si një tjetër hap të rëndësishëm për realizimin e Korridorit Blu dhe për krijimin e një lidhjeje të drejtpërdrejtë veri–jug, që do të kontribuojë në modernizimin e infrastrukturës rrugore të vendit.

 “ARRSH ka miratuar projektin e zbatimit që ka ardhur në ministri ditën e sotme dhe do të nis menjëherë procesin e shpronësimeve, duke i hapur rrugë nisjes së punimeve brenda këtij viti. Kashar–Rrogozhinë është pjesë e Koridorit Blu dhe vazhdimi i aksit Thumanë–Kashar.

Me një gjatësi prej 33,5 kilometrash, kjo do të jetë autostradë e kategorisë A dhe do të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë Veri–Jug, duke ndihmuar në lehtësimin e trafikut në një prej akseve më të ngarkuara të vendit, Tiranë–Durrës,” u shpreh ministri Karakaci.

Ai shtoi se ky projekt është pjesë e një pakete më të gjerë investimesh në infrastrukturën rrugore, ku përfshihen Bypassi i Tiranës, Bypassi i Elbasanit, segmentet Elbasan–Qafë Thanë dhe Elbasan–Rrogozhinë, si dhe autostrada Milot–Balldren.

“Ky është një projekt i rëndësishëm që, së bashku me kantierët që kemi hapur, do të kontribuojë në modernizimin e infrastrukturës rrugore të vendit dhe do të çojë një hap më tej lidhjen e Shqipërisë me rrjetin europian të transportit,” theksoi ministri.