TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pas përplasjes disa-mujore me qeverinë dhe vetë kryeministrin Edi Rama, qeverisja e gjyqësorit merr vendimin për pagat e magjistratëve në vend. Në mbledhjen e kësaj të mërkure, anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor vendosën rritjen e pagës referuese të çdo gjyqtari në vend me 65.600 lekë, ose mbi 40% të pagës që kishin.
Sipas vendimit të KLGJ-së, të marrë me 9 vota pro dhe asnjë kundër, duke filluar nga 1 gushti i 2026, çdo pagë e gjyqtarëve do të rritet në vlerën e 222.425 lekë, nga 156.800 lekë që ishte më herët, plus shtesa e nivelit të kualifikimit 14.000 lekë. Po ashtu, u miratua edhe propozimi për kompensimin e rritjes së munguar nga data 1 prill 2023 deri më 31 korrik të këtij viti.
Kjo është hera e parë që Këshilli i Lartë Gjyqësor ndërhyn për të rritur pagat e magjistratëve, të cilat kanë qenë gjithnjë të përcaktuara në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Ndërhyrja e KLGJ-së erdhi pasi Kuvendi refuzoi të zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese në shkurt të 2026-ës, që rrëzoi ndryshimet ligjore të vitit 2023, që përcaktonin pagën e magjistratit sa 0.36% e pagës së Presidentit të Republikës, me argumentin se kishte ulje të fshehtë dhe kjo ishte antikushtetuese.
Këshilli i Lartë Gjyqësor shprehet se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm dhe përcaktoi rritjen e pagës së gjyqtarëve. Vendimi i KLGJ, i bazuar në arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese, sjell rritje të ndjeshme të pagave të magjistratëve, si dhe kompensimin për atë që u cilësua si “ulje e fshehtë”, e shkaktuar me ndryshimin ligjor të vitit 2023, ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në republikën e Shqipërisë’”.
Ky vendim i Këshillit të Lartë Gjyqësor pritet të sjellë polemika të reja mes institucioneve, pasi sipas ligjit, pagat mund të rriten vetëm nga Këshilli i Ministrave ose Kuvendi.
Sipas ekspertëve, Drejtoria e Thesarit duhet të miratojë çdo muaj pagat. Nëse listë-pagesa e re e gjyqtarëve, pas vendimit të KLGJ, është më e lartë se sa fondi i pagave të miratuara tashmë me ligjin e vjetër, krijohet përplasje. Thesari nuk mund të paguajë më shumë para se sa janë parashikuar pa një vendim të qeverisë apo kuvendit, apo titullarit të institucionit.