AKTUALITET, 26 August 2026, 22:34

Ministria e Mbrojtjes: 24 vatra zjarresh të raportuara, katër aktive, përmirësohet situata në disa zona

Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 20:00 në rang vendi janë raportuar 24 vatra zjarri, nga të cilat katër vijojnë të jenë aktive, ndërsa pesë të tjera janë nën mbikëqyrje.

Në mbështetje të operacioneve për shuarjen dhe vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit janë angazhuar 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter.

Vatrat që vijojnë të jenë aktive janë në Qafë të Helmës, Bulqizë; Malin e Dardhës dhe Malin e Qukësit në Librazhd/Prrenjas, si dhe në Drashovicë, Selenicë.

Në Qafë të Helmës (Bulqizë) vijon puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Në terren janë angazhuar 23 forca operacionale të MZSH Bulqizë dhe strukturave bashkiake. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Malin e Dardhës (Librazhd) zjarri vijon të djegë në brendësi të terrenit, kryesisht në humus dhe trungje të dekompozuara, ndërsa nuk rrezikohen banesat.

Në Malin e Qukësit (Përrenjas) vijon ndërhyrja për shuarjen e trungjeve të rrëzuara dhe bimësisë së ulët brenda vatrës. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Drashovicë (Selenicë) operacionet vijojnë për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe pyjore me shkurre. Në terren janë një mjet zjarrfikës dhe 3 efektivë të MZSH Selenicë. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, situata paraqitet e përmirësuar në vatrat e tjera të raportuara gjatë ditëve të fundit.

Në malin e Dajtit, reshjet e shiut kanë izoluar vatrat e zjarrit dhe zona do të vijojë të mbahet nën mbikëqyrje. Gjatë ditës, në operacion u angazhuan 38 forca operacionale bashkiake dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura.

Në Sarandë, zjarri në kurorën e qytetit është vënë nën kontroll pas angazhimit të strukturave të MZSH-së, Policisë, Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, forcave bashkiake dhe një helikopteri të Forcave të Armatosura. Zona vijon të mbahet nën mbikëqyrje.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.