TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Greqia ka nxituar për të përforcuar kufirin e saj tokësor me Turqinë, pas frikës në rritje mbi fluksin e refugjatëve dhe emigrantëve që kalojnë kufirin. Sipas “Guardian”, patrullat e Policisë greke u shtuan pasi autoritetet vendore thanë se rritja e të ardhurve nga toka ngjante me fluksin e emigrantëve në ishujt e Egjeut pranë bregut turk.
Rreth 2,900 njerëz kaluan kufirin tokësor në muajin prill, duke e tejkaluar numrin e atyre që mbërritën nga deti, sipas Agjencisë së Refugjatëve të Kombeve të Bashkuara (UNHCR). Shifra është sa gjysma e numrit të përgjithshëm të kalimeve ilegale të kufirit në Greqi, gjatë gjithë vitit 2017.
Duke folur nga qyteti kufitar Orestiada, kryetari i bashkisë, Dimitris Mavrides, tha për britaniken “Guardian” se “Objektet tona të pritjes janë të mbingarkuara dhe gjërat janë në prag të daljes nga kontrolli. Qeveria ka dërguar vetëm 120 policë shtesë dhe nuk janë të mjaftueshëm. Frontex gjithashtu duhet të ndërhyjë”, tha ai, duke iu referuar agjencisë së kufirit dhe të rojës bregdetare të Europës.
ALARMI I UNHCR
Qendra e vetme pritëse e zonës ka kapacitet për 240 njerëz. Në mungesë të akomodimit, autoritetet po i vendosin të sapoardhurit, përfshirë edhe fëmijët, në mjediset e papërshtatshme të paraburgimit, ku qasja ndaj përkthyesve dhe shërbimeve të tjera kufizohet rëndë.
UNHCR deklaroi se “Kushtet janë të dëshpëruara … qindra njerëzit që po qëndrojnë në ato ambiente përfshijnë edhe gra shtatzëna, shumë fëmijë të vegjël dhe njerëz që kanë nevojë për kujdes mjekësor dhe psikosocial”. Zëvendësministri i Greqisë për mbrojtjen e qytetarëve, Nikos Toskas, tha se janë në fuqi planet e emergjencës.
“Ne jemi plotësisht të përgatitur. Nuk ka nevojë për panik”, tha gjenerali në pension. Megjithatë, frika po rritet se vala e re mund të sinjalizojë fillimin e një emergjence verore. Shumica e atyre që kanë hyrë në tokë gjatë muajve të fundit, duke përshkuar lumin Evros, janë refugjatë kurdë, të cilët ikin nga rajoni Afrin i Sirisë së Veriut pas sulmeve ushtarake të Turqisë.
“Jemi të shqetësuar se, ndërsa moti përmirësohet dhe nivelet e ujit ulen, më shumë njerëz do të guxojnë të bëjnë këtë udhëtim, sepse lumi do të jetë më i lehtë për të kaluar”, tha Ruben Cano, nga Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq në Greqi.
DEVIJIMI I MARRËVESHJES
Rritja e papritur reflekton një devijim në taktikat nga kontrabandistët e njerëzve, që anashkaluan marrëveshjen e diskutueshme që BE-ja arriti me Turqinë, kur më shumë se një milion njerëz hynë në bllok përmes Greqisë. Sipas marrëveshjes, nënshkruar në mars 2016, emigrantët dhe refugjatët që arrijnë ishujt lindorë të Egjeut duhet të mbeten në vend derisa kërkesat e azilit të përpunohen përmes një sistemi që është shumë i ngadalshëm, ose përballet me dëbimin. Kufiri i tokës nuk përfshihet në marrëveshje.
“Një varkë mund të marrë rreth tre minuta kohë për të kaluar dhe është shumë më e lirë”, tha Mavrides. “Ata po vijnë pikërisht sepse toka nuk është pjesë e marrëveshjes dhe për shkak se situata në ishuj është dramatike. Nëse ata vijnë këtu dhe përpunohen të dhënat, janë të lirë të shkojnë kudo në kontinent. Ne kemi katër autobusë në ditë për në Athinë dhe Selanik dhe ata janë plot”.