AKTUALITET, 30 Prill 2018, 21:14

Edi Rama e pranon, Gjermania dhe Franca mund të votojnë kundër hapjes së negociatave

Edi Rama e pranon, Gjermania dhe Franca mund të votojnë kundër

Kryeministri Edi Rama, i ftuar në emisionin "Tonight Ilva Tare", ka komentuar rekomandimin e KE-së për hapjen e negociatave dhe vendet të cilat mund të mos votojnë pro hapjen së negociatave të Shqipërisë me BE-në në Qershor. Sipas Ramës, qeveria i ka bërë të gjitha detyrat por problemet e brendshme të disa vendeve apo partitë ekstremiste mund të ndikojnë në vendimin e disa vendeve.

Rama ka pranuar për herë të parë se Gjermani dhe Franca mund të votojnë kundër Shqipërisë.

"Nuk kemi asnjë vend që ka thënë jo, por ne dimë që ka vende ku ka një debat që është i lidhur me balancat e brendshme. Në Gjermani ka një debat. Në Gjermani ka një debat edhe për faktin se procedura kalon nga parlamenti. Qeveria federale duhet të marrë ok nga parlamenti për tu shprehur me votë. Edhe në Francë ka një tension të brendshëm që lidhet me fuqizimin e forcave anti europiane dhe presionit që ato ushtrojnë për zgjerimin."

I pyetur nëse ka komunikuar me presidentin francez Macron, Rama u shpreh se nuk e ka bërë një gjë të tillë por se ka komunikuar me zyrtarë francezë.

"Jemi në punë përditë. Nuk është çështje takimesh, është cështje komunikimesh, kontaktesh nëpërmjet të tretëve, telefonatave etj. Kam patur kontakte me pallatin e Élysée dhe eksponentë të lartë por jo me presidentin Macron. Kam besim që do t'i hapim negociatat. Do të jetë një përpjekje jo e lehtë, por jam besimplotë sepse kemi në dorë një dëftesë siç eshte raporti që shoqëron rekomandimin."

/TPZ.AL/