AKTUALITET, 18 Maj 2020, 09:20

Gjimnazet rihapin dyert me rregulla të reja, kthehen në klasa 31 mijë maturantë

Gjimnazet rihapin dyert me rregulla të reja, kthehen në klasa 31


Pas tre muajsh izolim e mësim nga shtëpia, rinisin shkollat për rreth 31 mijë maturantë në vend.

Gjimnazet kanë rihapur dyert mëngjesin e sotëm në Shqipëri, për herë të parë që prej mbylljes në mars për shkak të shpërthimit të koronavirusit.

Ministria e Arsimit ka njoftuar më herët se janë rreth 500 gjimnaze që sot hapin dyert për 31 mijë maturantë.

Sipas udhëzimit të nxjerrë nga ministria e Arsimit, maturantët do të jenë për tre javë në shkollë, për gjithë konsultimet e nevojshme para provimeve të Maturës Shtetërore.

Ata do të zhvillojnë mësim në klasa duke ruajtur rreptësishtë distancën e në kushte të tjera të sigurisë për shkak të pandemisë.

Ndërkohë që do të bëjnë konsultimet për matematikën, letërsinë, anglishten dhe lëndët me zgjedhje, në muajin qershor do të zhvillohen provimet.