SPORT, 6 Mars 2018, 12:31

Gjëegjëza japoneze rreth iniciativës së brezit dhe rrugës të Kinës, e deshifruar

Nga Titli Basu

A ka përqafuar Japonia, një mbështetës i vendosur i rendit ndërkombëtar me bazë vlerash të udhëhequr nga SHBA-të, Iniciativën e Kinës të Brezit dhe Rrugës (BRI)? Që nga Forumi i Brezit dhe Rrugës (BRF) i vitit 2017, në atë që mund të duket si një ndryshim i papritur, aleati tradicional i SHBA-ve, Japonia, ka përqafuar BRI, e cila shpesh kuptohet si strategjia madhore e Pekinit për të përdorur çdo komponent të forcës kombëtare për të vendosur influencë dhe të ri-dimensionojë rendin rajonal. Por, një vështrim më i vëmendshëm në strategjinë e Japonisë sugjeron se kryeministri Shinzo Abe është i përfshirë në një përpjekje të konsideruar me kujdes për të hedhur poshtë një qasje të ngushtë – ndjekur në këtë rast nga Banka për Investime të Infrastrukturës Aziatike (AIIB) – dhe të angazhohet me Kinën me qëllim të formësimit të saj si një aktor përgjegjës dhe që respekton standardet më të larta të qeverisjes globale në përputhje me normat ndërkombëtare.

Ndërsa Pekini po bëhet gjithnjë e më i sigurt për fuqinë e saj kombëtare, ajo po ndjek interesa gjeopolitikë dhe gjeo-ekonomikë përmes projekteve madhështore si BRI. BRI është një instrument i rëndësishëm për të realizuar synimin e Presidentit Xi Jinping për ta bërë Kinën një “lider global në aspektin e forcës kombëtare dhe ndikimit ndërkombëtar” nga mesi i shekullit të 21-të. Ndërsa Xi ndjek ëndrrën kineze nën narrativen e “ringjalljes së madhe të kombit kinez”, Pekini gjithnjë e më shumë po e vë në provë rendin me bazë vlerat universale të udhëhequr nga SHBA-të. Nëse ajo po harton një arkitekturë të re të sigurisë rajonale të shënuar nga një qasje “Azia për aziatikët”, duke testuar vendosmërinë e SHBA-ve në Detin e Kinës Jugore, duke aplikuar në mënyrë efektive “shtetndërtimin institucional” duke hartuar alternativa si AIIB ose duke udhëhequr arkitekturën rajonale ekonomike me Partneritetit Rajonal të Gjithëpërfshirjes Ekonomike (RCEP), Kina po e vë në provë rolin e SHBA-ve. Ndërsa tradicionalisht rendi liberal i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara mbizotëronte Azinë Lindore, ardhja e Kinës si një fuqi e madhe po ndryshon balancën rajonale të pushtetit.

Ndërsa debati për të ardhmen e rendit rajonal të udhëhequr nga SHBA-ja intensifikohet, aleatët tradicionalë si Japonia janë futur në lojë për të përforcuar themelet dhe elasticitetin e sistemit të udhëhequr nga SHBA-të. Artikulli fillestar i kësaj qasje u dëshmua në vizionin strategjik të Shinzo Abe, duke arritur kulmin me Strategjinë e Indo-Paqësorit të Lirë dhe të Hapur të Japonisë në 2016. Korridori i Rritjes Azi-Afrikë (AAGC), i konceptuar në bashkëpunim me Indinë, është një nga manifestimet kyçe të kësaj strategjie.

2017 ishte një vit i rëndësishëm për strategjinë e Japonisë. Ndërsa në mes të majit, në BRF-në morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Liberale Demokratike të Japonisë (LDP) Toshihiro Nikai dhe shefi i Keidanren, Sadayuki Sakakibara, më vonë atë muaj u prezantua Dokumenti i Vizionit i AAGC nga Japonia dhe India me qëllim avancimin e axhendës së rendit me bazë liberale. Duke sqaruar dykuptimësinë e qasjes së Japonisë ndaj BRI, Abe, duke folur në Konferencën e Ardhmërisë së Azisë në fillim të qershorit, theksoi kategorikisht rëndësinë e mbajtjes së ndërtimit të infrastrukturës të hapur, transparente dhe të drejtë dhe theksoi mundësitë ekonomike të projekteve pa dëmtuar financat. Rastësisht, Abe artikuloi pozicionin e Japonisë në BRI nga e njëjta platformë ku ai nisi Partneritetin e tij për Infrastrukturën Cilësore në maj të vitit 2015, një muaj para se vendet anëtare themeluese nënshkruan artikujt e Marrëveshjes së AIIB-it në Kinë në Sallën e Madhe të Popujve në qershor.

Që nga fjalimi i Abe-së në qershor 2017, debati është intensifikuar mbi pozicionimin e Japonisë në BRI. Më pas, në disa raste, duke përfshirë fjalimet rreth politikave përpara Dhomës Japoneze dhe në Da Nang, mbi detajet e Takimit të Liderëve Ekonomikë të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), Abe theksoi pritëshmëritë e Japonisë për t’u angazhuar me BRI “në një mënyrë përparuese… duke përfshirë në mënyrë adekuate të menduarit e përbashkët të bashkësisë ndërkombëtare lidhur me transparencën, efikasitetin ekonomik, shëndetin financiar dhe aspekte të tjera të infrastrukturës”. Tokio po përpiqet të angazhohet me Kinën pa kompromentuar normat dhe parimet ndërkombëtare, me synimin për ta bërë Kinën më të adaptueshme ndaj standardeve globale dhe sundimit të ligjit. Strategjia e Japonisë nuk ka ndryshuar, por, siç argumenton Shin Kawashima, taktikat e Tokios janë bërë më të sofistikuara. Më parë shqetësimet mbi normat ndërkombëtare dhe standardet e qeverisjes u përmendën si pengesa ndaj angazhimit japonez me projektin kinez. Tani Japonia po përdor të njëjtat variabla si parakushte për pjesëmarrjen e Tokios në BRI.

Gjeoekonomikisht, Japonia ka identifikuar eksportet e infrastrukturës si një prioritet të lartë, i cili shërben si një motor i ri i rritës për ringjalljen e ekonomisë japoneze, përveç forcimit të rrjeteve strategjike me vende të një mendjeje të ngjashme. Strategjia e rivitalizimit në Japoni të qershorit 2013, shpalli nevojën për të krijuar kufij të rinj për rritje duke kapur tregun e infrastrukturës ndërkombëtare dhe caktoi objektivin e trefishimit të shitjeve të infrastrukturës deri në vitin 2020. Me qëllim përgjigjen ndaj kërkesave të infrastrukturës në ekonomitë në zhvillim dhe nxitjen e eksporteve të infrastrukturës, një “Takim Ministror për Strategjinë që lidhet me Eksportin e Infrastrukturës dhe Bashkëpunimit Ekonomik” është krijuar brenda Sekretariatit të Kabinetit që nga viti 2013. Përballë konkurrencës së ashpër ndërkombëtare, Abe ka theksuar cilësinë e eksporteve të infrastrukturës japoneze.

Keidanren (Federata e Biznesit të Japonisë) ka mbështetur promovimin strategjik të eksporteve të infrastrukturës dhe një marrëdhënie pozitive me Kinën, duke pasur parasysh ekonomitë e ndërthurura të të dy vendeve. Kryetari Sadayuki Sakakibara përsëriti se “Japonia do të bashkohej me vendet e tjera në bashkëpunimin aktiv me iniciativën Një Brez Një Rrugë, me kusht që të dy palët të mund të arrijnë marrëveshje mbi parimet duke përfshirë hapjen, transparencën dhe qëndrueshmërinë ekonomike. Për Japoninë, këto janë parimet themelore udhëzuese në trajtimin e iniciativës Një Brez një Rrugë”. Përkrahja e kushtëzuar e Japonisë për BRI e bazuar në qëndrueshmërinë ekonomike, qëndrueshmërinë fiskale, hapjen, transparencën dhe drejtësinë u theksua përsëri gjatë Samitit të Japonisë dhe Kinës në dhjetor 2017.

Ndërsa Abe shpesh nënvizon rëndësinë e respektimit të normave ndërkombëtare dhe standardeve të qeverisjes, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara kanë përforcuar bashkëpunimin që synon ofrimin e alternativave të investimeve të infrastrukturës së cilësisë së lartë në rajonin Indo-Paqësor. Në nëntor, Overseas Private Investment Corporation, institucioni financiar për zhvillim i qeverisë amerikane, nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Bankën Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JBIC) dhe Nippon Export and Investment Insurance (NEXI) me qëllim rritjen e investimeve në infrastrukturë, energji dhe disa sektorë të tjerë në Indo Paqësor. Përveç kësaj, një tjetër Memorandum Mirëkuptimi u nënshkrua ndërmjet Agjencisë Amerikane të Tregtisë dhe Zhvillimit (USTDA) dhe Ministrisë Japoneze të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë (METI) për të lehtësuar zgjidhjet e infrastrukturës energjetike me cilësi të lartë në rajonin e Indo-Paqësorit.

Përtej Shteteve të Bashkuara, Japonia po ndjek gjithashtu bashkëpunimin brenda kornizave trepalëshe. Për shembull, trilateralët e ministrive të jashtëm të SHBA-Japoni-Indi në shtator nënvizuan se nismat e ndërlidhjes duhet të bazohen në “normat ndërkombëtare të njohura universalisht, financimin e kujdesshëm dhe respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial”.

Çfarë qëndron prapa ndërrimit të angazhimit të kujdesshëm me BRI? Në prag të përvjetorit të 40-të të Traktatit të Paqes dhe Miqësisë të Kinës dhe Japonisë këtë vit, Abe e ka zbutur qëndrimin e tij të ashpër ndaj Kinës. Më e rëndësishmja, variabla gjeopolitike përfshirë rëndësinë vitale e mbështetjes së Kinës për uljen e tensioneve në Gadishullin Korean dhe thellësinë e angazhimit të SHBA-ve ndaj çështjeve rajonale pas politikës Amerika e para e Trumpit, nxiti Japoninë që të rishqyrtojë strategjinë e saj. Një raport i Yomiuri Shimbun në fund të dhjetorit tregoi se Tokio po shqyrton dhënien e një ftese Kinës për t’u bashkuar me “projektet e financuara nga Japonia në Afrikë”, përfshirë projektin e Unazës së Rritjes, projektin e Korridorit Ndërkombëtar dhe projektet në Ruandë dhe Kenia. Angazhimi konstruktiv midis dy ekonomive më të mëdha të Azisë është i mirëpritur në sektorin e infrastrukturës, sepse në fund të fundit do t’i shërbejë objektivit më të madh të ndërthurjes së ekonomive në zhvillim për të nxitur rritjen kombëtare dhe për të rritur aftësinë e tyre të përgjithshme për të konkurruar në ekonominë globale.

Megjithatë, kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton që Tokio është gati të komprometojë ruajtjen e një arkitekture të bazuar në rregulla. Japonia ka luajtur një rol udhëheqës në ofrimin e të mirave publike globale për dekada të tëra. Qëllimi i Abe është të ruajë rendin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që ka shërbyer interesat e tij kombëtare që nga epoka e pasluftës dhe të projektojë Japoninë si një aleat efektiv ndaj Shteteve të Bashkuara në ruajtjen e komuniteteve globale. Pavarësisht nëse ai është duke marrë rolin udhëheqës në TPP-11, duke ringjallur Quad, duke zhvendosur AAGC, ose iniciuar Vizionin e Vientianes, Japonia po demonstron lidership në konsolidimin e rendit ekzistues bazuar në vlerat dhe parimet universale të së drejtës ndërkombëtare. Për të përmbushur angazhimin e saj ndërkombëtar për të qenë një kontribues proaktiv ndaj paqes, Japonia synon të veprojë në kuadrin e marrëveshjes së aleancës me Shtetet e Bashkuara, të përforcojë fuqinë e saj kombëtare dhe të përparojë më tej partneritetet strategjike të orientuara drejt angazhimit në Indo-Paqësorin nga njëra anë dhe angazhimin me Kinën me qëllim influencimin e saj si një fuqi përgjegjëse që respekton normat ndërkombëtare nga ana tjetër./The Diplomat – Lexo.al