AKTUALITET, 1 Mars 2018, 11:08

Gardianët dhunojnë të burgosurin në Fier, procedohen penalisht

Gardianët dhunojnë të burgosurin në Fier, procedohen

Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve në Ministrinë e Drejtësisë mësohet se ka proceduar penalisht katër punonjës të policisë së burgut në Fier.

Procedimi ndaj tyre është bërë pasi kanë ushtruar dhunë ndaj një të burgosuri në këtë institucion të vuajtjes së dënimit.

Siç bëhet me dije nga njoftimi i Ministrisë së Drejtësisë, tre të dënuar janë shoqëruar forcërisht nga Grupi i Sigurisë së Institucionit në ambientet e veçanta të izolimit, pasi kishin kryer shkelje të rregullores.

Gjatë shoqërimit të të dënuarve, punonjësit e policisë kanë ushtruar dhunë fizike ndaj të dënuarit K.G.

Pas hetimeve të kryera nga SHKBB rezultoi se punonjësit e policisë së Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale Fier R.L., A.H., Sh.S. dhe B.S. kanë konsumuar elementë të veprës penale “Kryerja e veprimeve arbitrare”.

Për këtë ngjarja, njoftohet se materialet i kanë kaluar për ndjekje Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier.