LIFESTYLE, 9 Gusht 2019, 09:05

'Fyeu' miqtë në rrjetet sociale, reagon për herë të parë Kozma Dushi: Jam shumë i mërzitur dhe i indinjuar


Kozma Dushi ka një karrierë të gjatë në muzikë e si artist i ka dhuruar publikut disa këngë, të cilat i kanë mbijetuar kohës e vazhdojnë të dëgjohen edhe sot.

Prej disa kohësh, këngëtari i njohur është vënë në shënjestër për shkak të një llogarie në Facebook që mban emrin e tij.

“Kozma Dushi (Verteti)” është emri i faqes që shkruan statuse të ndryshme me gabime ortografike të cilat shpesh kanë fyer miqtë e artistit.

Vetë këngëtari i njohur ka shprehur indinjatën e tij duke dashur të tregojë publikisht se pas asaj llogarie në Facebook nuk fshihet ai, por një njeri dashakeq që ka tentuar disa herë të prish marrëdhëniet e tij dhe kolegëve.

Përmes kontaktimit në Blitz.al Kozma Dushi është shprehur se dëshiron që të sqarojë njëherë e përgjithmonë se ai nuk ka as edhe një lidhje me ato që shkruhen në faqen e Facebook që mban emrin e tij.

“Ajo nuk është adresa ime. Asnjë nga fjalët e shkruara aty nuk është bërë nga dora ime. Jam shumë i mërzitur dhe i indinjuar. Unë nuk kam as Facebook, as e- mail, as Instagram, asnjë rrjet social.

Atë faqe e ka hapur një person që dëshiron të dëmtojë imazhin tim si artist i njohur, si këngëtar që kam marrë pjesë në 35 festivale dhe vlerësuar me çmime. Ai që po e bën këtë është një person me zemër të keqe, por nuk mundet kurrë të më diskretitojë si artist.

Personi që e menaxhon ka fyer dy personazhe të njohur të botës së televizionit dhe politikës me të cilët unë Kozma Dushi nuk kam raport të afërt pasi nuk i njoh mirë. Por fjalët që ai përdor kundrejt tyre shkaktojnë keqkuptim dhe qejf mbetje tek ata që më rrethojnë. E përsëris, nuk jam unë.

Nëse ju dërgon ftesë miqësie atëherë mos e pranoni. I vetmi aplikacion që unë përdor është Whatsapp ndaj nëse ky njeri ju kontakton, dijeni se nuk jam unë.”,- është shprehur artisti i njohur i shqetësuar nga situata.