TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pavarësisht dështimit të projektit për ndërtimin e një hoteli me markën “Trump” në Beograd, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, thotë se vendi i tij mbetet i vendosur për të tërhequr më shumë investime nga Shtetet e Bashkuara.
Në një intervistë për Financial Times, Vuçiç deklaroi se administrata e dytë e presidentit Donald Trump është shumë më e orientuar drejt biznesit sesa gjatë mandatit të parë.
“Amerikanët janë njerëz të zgjuar… ata kërkojnë ndikim më të madh. Ne kemi nevojë për marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara dhe pres me padurim nisjen e një dialogu strategjik”, tha ai.
Projekti i hotelit në Beograd, i mbështetur nga investitorë mes të cilëve edhe dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, u braktis pas protestave masive dhe akuzave se qeveria serbe kishte miratuar leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin.
Megjithatë, Vuçiç tha se dëshiron të zgjerojë bashkëpunimin ekonomik me Washington-in, duke e konsideruar sektorin e energjisë si fushën me potencialin më të madh.
“Përmes sektorit të energjisë, amerikanët mund të kenë ndikim real në vitet dhe dekadat që vijnë”, u shpreh ai.
Vuçiç fajësoi gjithashtu Bashkimin Evropian për, sipas tij, kundërshtimin ndaj investimeve amerikane në rajon.
“Nuk e kuptova sa e rëndësishme ishte për Evropën t’u tregonte amerikanëve se kush është shefi i vërtetë në kontinent”, tha ai.
Presidenti serb përmendi edhe Shqipërinë, duke iu referuar projektit të lidhur me Jared Kushner në zonën e Zvërnecit.
“Ne u tërhoqëm që në fazat e para. Në Shqipëri projekti vazhdoi dhe tani ata janë në probleme shumë më të mëdha se ne”, deklaroi Vuçiç./albanian post