AKTUALITET, 5 Tetor 2020, 13:41

Edi Rama shkel marrëveshjen e 5 qershorit, voton Kodin e ri Zgjedhor në mënyrë të njëanshme

Edi Rama shkel marrëveshjen e 5 qershorit, voton Kodin e ri Zgjedhor


Në Kuvendin e Shqipërisë, është votuar Kodi i ri Zgjedhor me 97 vota pro, duke shkelur kështu marrëveshjen e 5 qershorit me opozitën jashtëparlamentare.

Edi Rama vendosi të shkelë marrëveshjen, pavarësisht paralajmërimeve të ndërkombëtarëve dhe në Kuvend ka votuar ndryshime të njëanshme, sëbashku me disa deputetë të opozitës së re.

Kujtojmë se Presidenti i Republikës ka qenë shumë i ashpër ditën e sotme, kur bëri thirrje të mos shkelet marrëveshja e 5 qershorit dhe deklaroi se do të afishojë publikisht të gjithë emrat e atyre deputetëve që do të votojnë pro ndryshmeve të njëanshme.

Kreu i shtetit gjithashtu e paralajmëroi Edi Ramën me fjalët: "Ilir Metën do ta kesh në të gjithë sheshet e Shqipërisë".

"E ashtuquajtura mazhorancë të thellohet, po ashtu të ashtuquajturit opozitë, nuk duhet tu shkojë mendja të mbyllin integrimin e Shqipërisë. Sot ai që ngre dorën për të prekur 5 qershorin ai ngre dorën kundër integrimit Evropian të Shqipërisë. Unë dëshiroj qytë mos e bëjë.

Kushdo që ngre dorën do të ketë përgjegjësi individuale. Vetëm duke respektuar marrëveshjen, duke bërë zgjedhje të lira e demokratike, ne çelim negociatat, por edhe japim shembull për çdo vend tjetër.

Maqedonia e Veriut na ka dhënë një shembull të shkëlqyer se si kapërcehen problemet e brendshme dhe si zgjidhen krizat.

Të mos harrojë asnjë deputet se përgjegjësia e tij do të jetë individuale, nëse ngre dorën kundër të ardhmes evropiane.

Presidenti do i publikojë emrat e të gjithë atyre që duan ta rikthejnë Shqipërinë 30 vite pas, presidenti do bëjë atë gjë që është e mirë për Integrimin e Shqipërisë,” deklaroi Meta përpara votimit.

/TPZ.al/