AKTUALITET, 5 Tetor 2020, 12:55

Meta mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Gjergj Vlashi: Humbje e madhe, model frymëzimi për të gjithë

Meta mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit


Presidenti Ilir Meta shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Gjergj Vlashi.

Meta thekson se Vlashi ishte një personalitet i shquar i komunitetit të artit durrsak dhe kombëtar.

Sipas tij, Gjergj Vlashi do të mbetet një model i rëndësishëm frymëzimi dhe referimi në Durrës e jo vetëm, për krijimtarinë e tij të begatë e të spikatur në vite.

POSTIMI:

I pikëlluar për ndarjen nga jeta të shkrimtarit, përkthyesit, dramaturgut, regjisorit dhe njërit prej themeluesve të estradës shqiptare, Gjergj Vlashi, personalitet i shquar i komunitetit të artit durrsak dhe kombëtar.

Me shumë tituj librash të shkruar e të përkthyer, si edhe me dhjetëra shfaqje artistike të vëna në skenë, Gjergj Vlashi do të mbetet një model i rëndësishëm frymëzimi dhe referimi në Durrës e jo vetëm, për krijimtarinë e tij të begatë e të spikatur në vite, por edhe për intensitetin e jetës intelektuale në shërbim të qytetit, artit e kulturës shqiptare.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes Vlashi dhe të gjithë komunitetit të artistëve për këtë humbje të madhe!

U prehsh në paqe Mjeshtër!