TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryedemokrati Lulzim Basha, ka reaguar në rrjetet sociale pas aktakuzave të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit.
Basha shkruan se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte një luftë e drejtë përballë agresionit dhe krimeve kundër njerëzimit e spastrimit etnik të regjimit të Millosheviç.
Lideri i opozitës shprehet i bindur se, drejtësisë do t’i faktohen aktakuzat, sipas tij të pabaza.
“Askush nuk mund të barazojë viktimën me agresorin. Askush nuk mund të barazojë luftën e drejtë të UÇK-së për dinjitet njerëzor dhe liri, me masakrat dhe genocidin e ushtruar nga hordhitë kriminale të Millosheviçit ndaj popullsisë civile të Kosovës”, shkruan Basha.
POSTIMI:
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë përballë agresionit dhe krimeve kundër njerëzimit e spastrimit etnik që regjimi kriminal i Millosheviçit po kryente ndaj popullsisë së pambrojtur në Kosovë.
Anëtarët e UÇK-së, pjesëmarrës në këtë luftë të pabarabartë, janë përballur e kanë dalë faqebardhë ndaj akuzave të ndryshme që janë ngritur ndaj tyre. Të tjerë luftëtarë po përballen sot.
Jam i bindur se edhe ata, që nga presidenti Hashim Thaçi, kryetari i PDK Kadri Veseli, ish kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi e luftëtarë të tjerë të UÇK-së, do t’i faktojnë drejtësisë dhe mbarë botës se aktakuzat ndaj tyre janë të pabaza.
Askush nuk mund të barazojë viktimën me agresorin. Askush nuk mund të barazojë luftën e drejtë të UÇK-së për dinjitet njerëzor dhe liri, me masakrat dhe genocidin e ushtruar nga hordhitë kriminale të Millosheviçit ndaj popullsisë civile të Kosovës.
Lufta e UÇK-së pati në krah të saj Aleancën e Atlantikut të Veriut me në krye SHBA, sepse ishte një luftë e drejtë. Shqiptarët patën në krah dhe mbrojtje të tyre të gjitha vendet demokratike të botës sepse ndaj tyre po kryeheshin krimet më çnjerëzore.
Asnjë shqiptar i Kosovës nuk i është fshehur drejtësisë por është përballur dhe ka ngadhnjyer.
Jam i bindur se edhe këtë herë e vërteta do të ngadhnjejë dhe se asgjë nuk do mund të përbaltë luftën e drejtë të UÇK për liri.