AKTUALITET, 5 Nëntor 2020, 12:38

Aktakuza ndaj Thaçit, Qeveria e Kosovës: S’ka fajtor pa vendim drejtësie

Aktakuza ndaj Thaçit, Qeveria e Kosovës: S’ka fajtor pa vendim

Askush nuk mund të gjykojë luftën tonë për liri, deklaron Qeveria e Kosovës në një reagim ndaj shpalles së aktakuzës ndaj Hashim Thaçit dhe disa ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së. Qeveria e Republikës së Kosovës ka njoftuar se po i përcjell me vëmendje zhvillimet e fundit rreth Dhomave të Specializuara, të cilat janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës.

Deklarata

“Qeveria beson thellë në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit, që mbetet një nga periudhat më të ndritshme të historisë. Askush nuk mund të gjykojë luftën tonë për liri.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi për çlirimin e vendit tonë, për mbrojtjen e pragut të shtëpisë e jo në tokë të huaj dhe si e tillë gëzoi mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, që kulmoi me fushatën e bombardimeve të NATO-s.

Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se askush nuk mund të konsiderohet fajtor pa vendim përfundimtar të organeve kompetente të drejtësisë. Bartësit e institucioneve, si dhe qytetarët e Kosovës kanë qenë gjithmonë dhe vazhdojnë të jenë shembull për respektim dhe bashkëpunim me drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Qeverisë

/TPZ.al/