AKTUALITET, 12 September 2026, 21:51

Arrestimi në Athinë/ Lulzim Cakës iu gjetën në banesë 2 milionë euro, drogë dhe bizhuteri

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me arrestimin në Athinë të Lulzim Cakës, i njohur ndryshe si “Lul Caka”.

Caka është arrestuar në Greqi nën dyshimin për trafik droge. Gjatë kontrollit në banesën e tij, autoritetet raportohet se kanë gjetur rreth 2 milionë euro, lëndë narkotike dhe bizhuteri.

Lulzim Caka është një prej emrave më të njohur të kronikës së zezë shqiptare të viteve ’90. Veprimtaria e tij kriminale lidhet kryesisht me zonën Berat-Fier-Lushnjë, në një periudhë kur Shqipëria u përfshi nga kaosi dhe dhuna pas vitit 1997.

Caka është dënuar për vrasjen e Pëllumb Eminit, ngjarje e ndodhur më 21 korrik 1997 në Lushnjë.

Një tjetër çështje për të cilën ai është dënuar lidhet me sulmin ndaj dy drejtuesve të policisë, Gani Malushi dhe Ilir Ngresi.

Sipas vendimeve të raportuara nga gjykatat, Caka është shpallur fajtor për tentativën e vrasjes së tyre, si dhe për armëmbajtje pa leje. Për këto vepra, ai është dënuar në total me 25 vite burgim.

Ngjarja ka ndodhur në mars të vitit 1998, kur Caka akuzohej se u kishte bërë rezistencë të armatosur forcave të policisë.

Për këto episode, Caka ka mohuar autorësinë, por dënimi ndaj tij është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit.

Tashmë, arrestimi i tij në Athinë rikthen në vëmendje emrin e Lulzim Cakës, ndërsa autoritetet greke vijojnë hetimet për dyshimet që lidhen me aktivitetin e tij të fundit dhe pasurinë e gjetur gjatë kontrollit në banesë.