AKTUALITET, 12 September 2026, 21:42

Firma e parë e ministres së re të Shëndetësisë/ Spahiu shkarkon administratoren e OSHIS, 24 orë pas tenderit për hemodializën

Arisa Cane, administratorja e OSHIS-it (Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit), shoqërisë aksionere me pronar Ministrinë e Shëndetësisë, është shkarkuar nga detyra.

Vendimi është marrë një ditë më parë nga ministrja e re e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu. Ky rezulton të jetë ndër vendimet e para të Spahiut në funksionin e ri, pak ditë pasi ajo bëri betimin te Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Shkarkimi i Canes vjen vetëm 24 orë pasi u shpall fituesi i garës për shërbimin e hemodializës, një procedurë që mbante vulën e OSHIS-it.

Tenderi, me vlerë 4.4 miliardë lekë pa TVSH, u fitua nga kompania Daverium AB, e njëjta kompani që në vitin 2019 kishte blerë kompaninë DiaVita, fituese e koncesionit 10-vjeçar për shërbimin e hemodializës, në pronësi të Spitalit Amerikan.

E gjithë procedura kishte ngritur një sërë pikëpyetjesh.

Procesi kishte nisur vetëm pak ditë pasi ministrja tashmë e dorëhequr, Evis Sala, kishte deklaruar publikisht se pas përfundimit të koncesionit të hemodializës, në tetor të këtij viti, shërbimi do të realizohej nga shteti.

Po më 30 korrik, qeveria kishte marrë vendimin që OSHIS-i të shndërrohej në Operatorin e Shërbimeve të Integruara Shëndetësore, duke i dhënë si objekt veprimtarie edhe ofrimin e shërbimit të dializës dhe të check-up-it, pra kontrollit mjekësor bazë.

Megjithatë, ky vendim nuk është reflektuar ende në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Për pasojë, OSHIS-i kishte hapur një garë për një aktivitet që, në momentin e zhvillimit të procedurës, nuk rezultonte pjesë e objektit të veprimtarisë së shoqërisë.

Vlera e tenderit ngre pikëpyetje

Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen është vlera e lartë me të cilën është dhënë shërbimi i hemodializës.

Në vitin 2016, koncesioni për shërbimin e hemodializës u dha për 7.2 miliardë lekë për një periudhë 10-vjeçare, ose mesatarisht rreth 720 milionë lekë në vit.

Ndërsa këtë herë, shërbimi është dhënë për një periudhë katërvjeçare me vlerë 4.4 miliardë lekë pa TVSH, që përkthehet në rreth 1.1 miliardë lekë në vit.

Kjo ndodh në një kohë kur operatori fitues nuk do të ketë nevojë të investojë për pajisjet, pasi, sipas kushteve të garës, do të trashëgojë infrastrukturën ekzistuese dhe të gatshme të shërbimit.

Pikërisht kjo ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si është përllogaritur fondi limit dhe mbi argumentet që kanë shërbyer si bazë për përcaktimin e kostos së shërbimit.

Detajet e tenderit dhe mënyra e përllogaritjes së vlerës së kontratës mbeten një tjetër element që kërkon sqarim, veçanërisht përballë faktit se infrastruktura ekzistuese do të jetë e gatshme për operatorin që ka fituar garën.

Në këtë situatë, shkarkimi i Arisa Canes, vetëm një ditë pas shpalljes së kompanisë fituese të tenderit të hemodializës, vjen në një moment të ndjeshëm për shërbimin dhe për mënyrën se si është zhvilluar e gjithë procedura.