TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar pasditen e sotme një takim informues në qarkun e Vlorës, në kuadër të diskutimeve për Reformën Territoriale.

Gjatë takimit është diskutuar mundësia e bashkimit të Bashkisë Vlorë me Bashkinë Selenicë, si pjesë e procesit për riorganizimin e njësive të qeverisjes vendore.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama tha se diskutimi lidhet me fuqizimin ekonomik dhe social të komuniteteve, racionalizimin e burimeve njerëzore në nivel vendor, si dhe përgatitjen për menaxhimin e fondeve që do të vihen në dispozicion në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Gjatë diskutimit, kryeministri u ndal edhe te nevoja për rritjen e kapaciteteve të njësive të qeverisjes vendore për ofrimin e shërbimeve.
Sipas Ramës, shërbimet që aktualisht kryhen nga bashkitë më të vogla mund të ofrohen nga qytetet, përmes një organizimi që synon të shmangë mbivendosjet dhe të rrisë efikasitetin e administratës vendore.
Rama argumentoi se bashkitë e vogla përballen me kufizime në burime dhe kapacitete për të ushtruar një pjesë të funksioneve të tyre.
Ai solli si shembuj nevojën për specialistë në fusha të ndryshme, përfshirë arkitekturën, financat dhe policinë bashkiake.
“Bashkitë e vogla nuk kryejnë një pjesë të madhe të funksioneve të tyre, sepse nuk gjenden në burime dhe në aftësi”, tha Rama, duke argumentuar se bashkimi do të krijonte kapacitete më të mëdha për përmbushjen e këtyre funksioneve.
Kryeministri tha se procesi i riorganizimit territorial mbështetet edhe në praktikat ndërkombëtare, përvojën historike dhe treguesit demografikë. Sipas tij, qëllimi është krijimi i një organizimi më funksional të qeverisjes vendore për vitet e ardhshme.
“Qëllimi është të përshtatet një shpërndarje më racionale e disa funksioneve që nuk i bëjnë dot bashkitë e vogla dhe që edhe vetë njësitë administrative sot nuk funksionojnë siç duhet”, u shpreh Rama.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim informues për Reformën Territoriale edhe në qarkun e Gjirokastrës, ku u diskutua për riorganizimin e qeverisjes vendore dhe funksionimin e njësive administrative.