AKTUALITET, 28 Tetor 2017, 16:12

Dorëzohet Magani: Trajneri i ri duhet t’u "këpusë kokën" tre senatorëve të Teutës

Edhe pse shënoi e para, madje pa kaluar tri minuta lojë me anë boshnjakut Anel Dediç, Teuta doli e humbur nga sfida me Lushnjën në “Roza Haxhiu”.

Kristi Marku barazoi shifrat në 1-1 në minutën e 38-të, me një gol të bukur me kokë, ndërsa golin e fitores së parë të Lushnjës në këtë sezon e realizoi sulmuesi i njohur Fation Sefa në limitin e takimit, në të 93’.

Për Teutën kjo ishte humbja e katërt rresht, ndërkohë që trajneri Gugash Magani dha pas ndeshjes dorëheqjen.

“Kam shumë rezerva për senatorët e skuadrës, dhe janë gjatë kohës ndihem i fyer prej tyre. Jam i mërzitur pasi kjo është puna që jetoj, jo vetëm nga ana financiare. Trajneri i ri duhet t’i “këpusë kokën” tre senatorëve”, tha Magani në një lidhje direkt për “Supersport”.

Takimi ishte i vlefshëm për javën e 8-të të Kategorisë Superiore. (d.f/Tpz.al)