AKTUALITET, 17 Dhjetor 2017, 21:42

Dorëheqja e Starovës, ose kronika e një “vrasje” të paralajmëruar. E ka shkruar Olsi Rama?

Dorëheqja e Starovës, ose kronika e një “vrasje”

Sulejman Starovës i pëlqen të jetë “eminenca gri” e presidentit të Partizanit, Gaz Demi. “Bobi” është gjithmonë në pritje.

“Enturazhi” i kuq, ai që e rrethon çdo ditë Demin në selinë e tij kur ai pi vazhdimisht puro – një klub ku shkruhet ‘Lotomania’ pranë Librit Universitar - është gjithmonë i gatshëm ta këshillojë Demin se Sula është shpëtimtari

Në fakt, po të shohësh historinë e tre trajnerëve të fundit italianë të Partizanit: Andrea Agostinelit (sezoni 2015-2016), Adolfo Sormani (2016-2017) dhe Mark Julianos (2017-2018), të tre këta e kanë marrë detyrën pasi e ka lënë Sula dhe po Starova i ka zëvëndësuar.

Deri pak kohë më parë, Sulejman Starova, trajneri që i ka dhënë titullin e fundit kampion Partizanit, në sezonin 1992-1993 – kanë kaluar 25 vjet qysh atëherë – ishte drejtori ekspert, njëherësh trajneri gjithmonë “rezervë”, me një status të veçantë të bosi i kuq.

Por, të paktën prej një viti gjërat ndryshuan totalisht për Starovën, i cili ka fituar edhe dy tituj kampionë me Tiranën si trajner.

Nëse dikur, Sula dhe Genc Tomori ishin gjithmonë të gatshëm, për të kryer disa role të ndryshëm drejtorësh në administratën sportive të 15 herë kampionëve, klubit të vetëm të kryeqytetit që militon në Kategorinë Superiore  - Tirana (24) dhe Dinamo (18) janë në Kategorinë e Parë – tashmë duket se koha e tij, dhe Starova, si një njeri inteligjent e nuhati atë, ka mbaruar.

Drejtori i Përgjithshëm nuk quhet më Genc Tomori apo ai sportiv, italiani Antonelo Preiti, por Olsi Rama, vëllai i Kryeministrit Edi Rama.

Si një biznesmen i sukessshëm, Gaz Demi, e di shumë mirë sesa e rëndësishme është miqësia e veçantë me një kryeministër: dikur kishte mik djalin e Kryeministrit Sali Berisha, ndërsa sot ka të punësuar vëllain e Kryeministrit Edi Rama.

Dhe për një vizionar si Demi -  askush nuk i di saktësisht se me sa zero është pasuria e tij  - Rama i vogël vlen më shumë se Starova i madh.

Largimi i Starovës ishte si një “vrasje” e paralajmëruar, thjesht ishte e nevojshme të shkruhej kronika.

Dhe ajo erdhi: Luftëtari-Partizani 5-0!

A kishte tradhti lojtarësh brenda ekipit, të ndërtuar për të fituar titullin kampion?

Italiani Mark Juliano ankohej shpesh se, lojtarët nuk i bindeshin udhëzimeve të tij gjatë lojës. Dhe të gjithë e mbajnë mend, se në katër ndeshjet e para, Partizani jo vetëm që nuk fitoi asnjë taki, por nuk shënoi as edhe një gol.

Për një veteran si Starova, me 30 vjet eksperiencë si trajner, për më tepër edhe tetë vjet si Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, ai e kuptoi po aq mirë, si atëherë kur Armand Duka erdhi në krye të FSHF-së, jo si një i presidenti honorifik, por si një bos që administronte miliona euro me kompanitë e tij.

“Bobi” u dorëzua me një dorëheqje para Dukës, si sot me një dorëhëqje para Demit.

Pasi, e di mirë. Nën hijen e një lisi të lartë si Olsi Rama nuk mund të ketë më asnjë status, përveçse të një të punësuari, që shkarkohet edhe me një humbje.

Por, me një 5-0 në Gjirokastër, duket më justifikueshme.

Pasi kronika e “vrasjes së paralajmëruar” është e plotë.

Olsi Rama i ka nisur bisedimet për trajnerin e ri, thjesht duhet ta njoftojë me SMS emrin e tij.

Dhe është për çudi, e për ta bërë më joshëse intrigën: Armando Cungu. Dikur, te Kukësi, Cungu ishte trajner dhe Sula ishte drejtor sportiv te skuadra e Safet Gjicit, por shkodranin e shkarkuan dhe vendin e tij  zuri Sula.

Nesër te Partizani, vendin e Starovës pritet të zërë Cungu.

A ka më intriguese se kjo?!

TPZ.AL