AKTUALITET, 15 Shkurt 2019, 16:01

Donald Trump, letër Thaçit: Të normalizohen marrëdhëniet me Serbinë

Donald Trump, letër Thaçit: Të normalizohen

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka dërguar një letër urimi, Hashim Thaçit, me rastin e 11-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë ndërsa përgëzoi mbarë popullin kosovar për këtë ditë të shënuar.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka inkurajuar qytetarët e Kosovës që të fokusohen në ruajtje e parimeve bazë demokratike, forcimin e sundimit të ligjit si dhe të avancojnë mundësitë e shkëmbimeve tregtare.

Presidenti i SHBA-së thekson faktin se një marrëdhënie mes Kosovës dhe Serbisë do t’i hapte rrugë anëtarësimi dhe zhvillimit të saj perëndimor. Pak më herët, Donald Trump i dërgoi një letër edhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të cilit i kërkoi njohjen e Kosovës në tërësinë e saj

Letra e plotë e Presidentit të SHBA-së dërguar Presidentit të Kosovës:

I nderuari Z. President:

Në emër të popullit amerikan, e përgëzoj mbarë popullin e Kosovës për përvjetorin e njëmbëdhjetë të pavarësisë së shtetit tuaj.

Marrëdhëniet tona të fuqishme bilaterale janë të rrënjosura në vizionin e përbashkët të një Kosove dhe Ballkani Perëndimor stabil, të sigurt dhe të begatë. Tani kur Kosova po fillon dekadën e saj të dytë si një vend i pavarur dhe sovran, unë i inkurajoj qytetarët e Kosovës që të fokusohen në ruajtjen e parimeve demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në avancimin e mundësive ekonomike dhe tregtare. Më e rëndësishmja, Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet, që është esenciale për integrimin perëndimor të Kosovës. Ne e shohim njohjen e dyanshme si themel të marrëdhënieve të normalizuara dhe si bazë për çfarëdo zgjidhje gjithëpërfshirëse.

Shtetet e Bashkuara i mbesin partner të gjithë atyre të cilët ndajnë këto vlera dhe janë të gatshëm të kryejnë punë të nevojshme për suksesin e tanishëm dhe të ardhshëm të Kosovës.