TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Tetë ditë pas ekzekutimit të 26-vjeçarit Jurgen Kurti në Tiranë, Policia ka arrestuar 3 persona, të dyshuar si bashkëpunëtorë në krim, ndërsa ka shpallur në kërkim personin që ka shkrepur armën.
Burime nga grupi hetimor thanë se tre personat e arrestuar kanë pranuar të jenë përfshirë në vrasjen e 26-vjeçarit Jurgen Kurti, duke treguar edhe mekanizmin e ngjarjes.
Mësohet se ata kanë deklaruar ta kenë vëzhguar prej afro 2 javësh Kurtin, duke mësuar të gjitha lëvizjet e tij.
Por sipas tyre, asnjëri prej tyre nuk ka qëlluar me armë në drejtim të tij. Ata janë identifikuar përmes përgjimeve të kryera nga ana e grupit hetimor, ku në bisedat mes tyre kanë përmendur edhe një shumë prej 30 mijë eurosh, që dyshohet të jetë pagesa për realizimin e vrasjes.
Megjithatë, kjo ende nuk është saktësuar. Nga ana tjetër, asnjëri prej të arrestuarve nuk ka pranuar të japë të dhëna rreth personit që ka porositur krimin, duke pretenduar se nuk kanë dijeni.
“Veprimet hetimore janë në vazhdim e sipër për të bërë të mundur dokumentimin e plotë me prova ligjore të personave të tjerë të përfshirë në ngjarje, si dhe për dokumentimin e motiveve të ngjarjes. Për arsye hetimore ,nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera, pasi cenojmë hetimin”, tha zyrtarisht Policia.
Policia vuri në pranga dje Elsi Levendin, 21 vjeç, lindur në Athinë/Greqi dhe banues në Tiranë; Alesio Berberi 33 vjeç, lindur në Patos dhe banues në Patos, Fier dhe Olsi Qalliaj, 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Patos.
Policia sekuestroi një automjet që u ka shërbyer autorëve për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe dy makina të tjera luksoze. Gjithashtu u gjet dhe një armë zjarri “Pistoletë TT”, fishekë luftarakë, një sasi prej 2470 Euro e Lekë shqiptare, 13 aparate celular, si dhe një sasi e vogël lënde narkotike.
Jurgen Kurti u ekzekutua me armë mbrëmjen e 18 Marsit, poshtë banesës së tij në kryeqytet. Kurti ishte një emër i njohur për policinë, pasi gjatë vitit 2016 dhe 2017 u përfol si autor i dyshuar në dy vrasje, të cilat më pas nuk u provuan dhe ai u la i lirë.