AKTUALITET, 26 Mars 2019, 23:18

Ambasadori i BE-së bën bashkë Rudina Hajdarin me ish-kolegët e PD (FOTO)

Ambasadori i BE-së, Luiggi Soreca, ka zhvilluar një tryezë me disa prej ish-deputetëve të opozitës dhe deputetes Rudina Hajdari. Ky është takimi i parë zyrtar i deputetes Hajdari, me ish-kolegët e PD-së.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luiggi Soreca, ka zhvilluar ditën e sotme një tryezë me disa ish-deputetë të opozitës dhe deputeten Rudina Hajdari.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë deputetja Hajdari, e cila me anë të një postimi në rrjetet sociale, shprehet:

“Një shkëmbim i hapur idesh dhe pikëpamjesh me kolegët e opozitës dhe përfaqësues të shteteve anëtare të BE mbi situatën aktuale, krizën institucionale dhe mundësitë për zgjedhjen e saj. Prioriteti kryesor gjetja dhe zbatimi i rrugëve për të realizuar vullnetin e përgjithshëm të qytetarëve Shqiptarë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. ????”

Luigi Soreca, Rudina Hajdari, Oerd Bylykbashi

Luigi Soreca, Rudina Hajdari, Oerd Bylykbashi, Fatmir Mediu, Genc Pollo

Por ajo që përbën interes është fakti se Rudina Hajdari, e përjashtuar nga Partia Demokratike pasi nuk pranoi djegien e mandatit, takohet për herë të parë në mënyrë zyrtare me disa prej ish-kolegëve të saj, si Oerd Bylybashi, Genc Pollo, Jorida Tabaku, Fatmir Mediu. Ndërsa në këtë takim ka qenë edhe ish-deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha.

Deputetët e opozitës së bashkuar kanë dorëzuar mandatet pasi sipas tyre Parlamenti ishte i kontrolluar nga krimi. Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme, krijimin e një qeverie tranzitore e cila do të organizojë zgjedhjet lokale dhe ato qendrore. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka përjashtuar zgjedhjet e parakohshme, dhe ka ofruar vetëm dialog për opozitën.