TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni policor “Detajet” në Lezhë, ku tre persona u arrestuan nën dyshimet se po përgatiteshin për të kryer një atentat. Sipas hetimeve paraprake, Vinçesk Piroli, 38 vjeç, dhe Kristian Ymeri, 34 vjeç, dyshohet se janë vrasës me pagesë dhe mund të jenë të përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale.
Deri më tani, shënjestra e atentatit nuk është identifikuar, pasi të arrestuarit nuk kanë dhënë informacion para autoriteteve.
Në reagimin zyrtar, Policia bëri të ditur se Vinçesk Piroli dhe Kristian Ymeri po lëviznin në rrugën e vjetër Pllanë–Lezhë, ku dyshohet se do të kryenin ekzekutimin.
Megjithatë, një informacion i mbërritur në Policinë e Lezhës bëri të mundur parandalimin e atentatit. Pas marrjes së këtij informacioni, efektivët i mbajtën nën vëzhgim për disa ditë, deri në momentin kur ndërhynë, ndërsa dyshohet se ata ishin gati për të kryer vrasjen.
Operacioni “Detajet”, arrestimet në aksin Gjadër–Barbullush
Operacioni policor “Detajet” u finalizua në rrugën Gjadër–Barbullush, në drejtim të Shkodrës, ku policia ndaloi një automjet tip “Volkswagen”.
Në automjet udhëtonin Vinçesk Piroli, nga Kurbini, Kristian Ymeri, i njohur edhe si Shkambi, 34 vjeç, nga Kamza, si dhe Elden Tarja, 25 vjeç, nga Barbullushi i Shkodrës.
Sipas dyshimeve të hetuesve, Tarja ishte drejtuesi i automjetit dhe do t’i ndihmonte dy të tjerët të largoheshin nga vendi i ngjarjes pasi të kryenin vrasjen.
Të arrestuarit u kapën të armatosur dhe me skafandra, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbardhur plotësisht qëllimin e tyre dhe për të identifikuar personin që dyshohet se ishte shënjestra e atentatit.
Dyshime për lidhje me vrasjen e “Tanit të Rruzhdiut”
Vinçesk Piroli raportohet se ka precedent të theksuar kriminal, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Ndërkohë, policia ka dyshime se tre personat e arrestuar mund të kenë lidhje edhe me atentatin e ndodhur pak ditë më parë në Sarandë, ku u vra Artan Myrtaj, i njohur edhe me nofkën “Tani i Rruzhdiut”.
Hetimet vijojnë për të verifikuar nëse të arrestuarit kanë lidhje me këtë ngjarje kriminale, si dhe për të përcaktuar nëse janë të përfshirë në atentate apo vepra të tjera kriminale.
Deri në përfundimin e hetimeve, dyshimet ndaj personave të arrestuar mbeten objekt verifikimi nga autoritetet.