TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Reshjet e shiut me intensitet të lartë, të përqendruara brenda pak minutash, kanë shkaktuar grumbullimin e ujit në disa zona të qytetit të Vlorës, duke vështirësuar qarkullimin dhe ngritur shqetësimin e banorëve.
Situata paraqitet problematike veçanërisht në lagjen Pavarësia, por edhe në rrugë të tjera të qytetit, ku në disa segmente uji ka mbuluar rrugët, duke penguar lëvizjen normale të automjeteve dhe këmbësorëve.
Shqetësimi më i madh është përqendruar në lagjen Pavarësia, ku banorët ankohen për pusetat e bllokuara, të cilat, sipas tyre, janë mbushur me gurë dhe materiale të tjera inerte. Kjo gjendje pengon largimin e ujërave të shiut, duke bërë që ato të grumbullohen në rrugë dhe pranë banesave për një kohë të gjatë.
Banorët druhen se situata mund të përkeqësohet ndjeshëm nëse reshjet vazhdojnë me të njëjtin intensitet ose zgjasin për një periudhë më të gjatë. Sipas tyre, grumbullimi i mëtejshëm i ujit mund të arrijë deri në pikën kur hyrja në banesat e tyre të bëhet e pamundur.
Përballë kësaj situate, banorët kërkojnë ndërhyrje për pastrimin e pusetave dhe kanaleve kulluese, si dhe përmirësimin e sistemit të drenazhimit, në mënyrë që ujërat e shiut të largohen në kohë.
Ata kërkojnë zgjidhje konkrete për të parandaluar përsëritjen e këtyre problematikave sa herë që qyteti përballet me reshje të dendura, të cilat po ndikojnë në qarkullimin dhe jetën e përditshme të komunitetit.