TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ashpër në rrjetet sociale ndaj kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, të cilin nuk e përmend drejtpërdrejt me emër, por e akuzon se ka angazhuar persona për ta sulmuar me komente në internet.
Në një postim në rrjetet sociale, Braçe pretendon se prej dy ditësh po përballet me komente nga profile që, sipas tij, janë anonime dhe kanë pak ndjekës.
“Patronazhistët e oligarkut në sulm! E prisja, ka dy ditë që e bën. Jo vetëm ndaj meje, por ndaj cilitdo të gjalli që komenton këtu. Shihini! Janë pa fytyrë, pa emra, pa postime, me fare pak ndjekës apo të ndjekur prej tyre. Nuk ekzistojnë! Janë robotët e kërmillit më të madh që ka politika sot”, shkruan Braçe.
Ai vijon me akuza ndaj personit të cilit i referohet, duke pretenduar se bëhet fjalë për një politikan që financon mbështetës si në terren, ashtu edhe në rrjetet sociale.
“Është oligarku i vetëm në politikë që paguan patronazhistë në territor dhe patronazhistë në rrjet! Nëse ata në territor i ka banditë të dhunshëm, këta në rrjet i ka eunukë të dukshëm. Jam marrë unë me këta. Edhe me këtë oligarkun jam marrë”, shprehet deputeti socialist.
Përtej pretendimeve për aktivitetin në rrjetet sociale, Braçe ngre edhe akuza të tjera lidhur me burimin e pasurisë së Shehajt, të cilat i ndan në tri kategori: përfitimet nga puna e punonjësve, lidhjet e pretenduara me trafikun e drogës dhe transaksionet që ai i cilëson fiktive.
Sipas Braçes, cikli i parë i pasurisë lidhet me atë që ai e përshkruan si shfrytëzim të punonjësve në infrastrukturat e biznesit.
“Paratë që e bënë të tillë, oligark, janë të tri cikleve. Cikli i parë i parave të tij vjen erë gjaku. Janë mundi dhe sakrifica e djemve dhe vajzave të shfrytëzuar barbarisht këtu, në infrastrukturat e tij. Ka fituar pafund ai prej tyre, por të shfrytëzuarit nuk marrin as sa marrin mësuesit sot si rrogë; ai nuk i paguan asgjë këtij vendi, por transferon jashtë paratë e gjakut të të shfrytëzuarve këtu”, pretendon Braçe.
Për ciklin e dytë, deputeti socialist përdor shprehjen “paratë që vijnë erë miell”, duke pretenduar se ato lidhen me aktivitetin e drogës. Ai përmend gjithashtu persona që, sipas tij, janë të afërm të Shehajt dhe që kanë qenë të përfshirë në prodhimin e drogës në Gjermani, ndërsa në Shqipëri punonin si funksionarë politikë të tij.
Ndërsa për ciklin e tretë, Braçe ngre dyshime për shitblerje fiktive dhe fryrje të vlerave të pasurive.
“Cikli i tretë i parave të tij ka erën e spekulimit: shitblerje fiktive, fryrje fiktive të vlerave, pasuri që zmadhohet prej tyre. Ua kam dorëzuar herët unë letrat e tyre agjencive të kësaj qeverie; ia bëjnë muuu! Nuk e kam kuptuar kurrë pse e kanë falur. Si thoni? Pse e kanë falur?”, deklaron Braçe.
Deri më tani, në materialin e bërë publik nga Braçe, këto mbeten akuza dhe pretendime të deputetit socialist.
Përplasja nisi pas debatit për Reformën Territoriale
Reagimi i Braçes vjen dy ditë pas deklaratave të Agron Shehajt për përplasjen e deputetit socialist me mazhorancën lidhur me Reformën Territoriale.
Kreu i Partisë Mundësia e cilësoi qëndrimin e Braçes si një përplasje të inskenuar me kryeministrin Edi Rama, duke pretenduar se mbështetja e opozitës për deputetin socialist ishte pjesë e së njëjtës lojë politike.
“Tallja që u bëhet qytetarëve është e pabesueshme. Tani Erion Braçe ka bllokuar foltoren dhe kërcënon Edi Ramën se do të votojë gjoja kundër reformës territoriale. Por ajo që është më e pabesueshme akoma është që tani Braçen e mbështet edhe opozita në këtë teatrin e tij, në lojën që po bën kundër Edi Ramës gjoja”, deklaroi Shehaj.
Përplasja mes dy politikanëve vijon kështu në distancë, me akuza të ndërsjella në sfondin e debatit politik për Reformën Territoriale.