AKTUALITET, 27 Tetor 2017, 22:01

Cirk dhe bufonadë e Edi Ramës tek Arian Çani

Cirk dhe bufonadë e Edi Ramës tek Arian Çani

 

Kryeministri Edi Rama, zgjodhi "Zonë e Lirë", një emision satirik për tu shfaqur, dy ditë pas votimit në parlament, ku rrëzoi me votë arrestimin e ish Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Emisioni nisi me pyetjet për sulmin ndaj gazetarëve, ku kryeministri nuk shfaqi asnjë pendesë. "Unë jam ushqimi për ta, nuk rrinë dot pa ngrënë" - u shpreh Rama.

Por pjesa më kulmore, ishte kur moderatori Arjan Çani, u shfaq i veshur si klloun, me një pardesy të bardhë, me syze të zeza dhe kapele, duke imituar një Prokuror, që do të merrte në pyetje Kryeministrin e vendit. Dukej e gjitha si një skenar i mirëmenduar.

Nga njëra anë Çani po përdorej për të tallur Prokurorët e Krimeve të Rënda, dhe nga ana tjetër, kryeministri Rama po ndjehej komod me pyetjet "pambuk" të bëra nga moderatori. Kryeministri Edi Rama njihet për këto shfaqje, por kjo bufonadë i kalon të gjitha caqet.

"Më thirr zoti Prokuror" - i drejtohet Çani..."Lëre se keqkuptohen të tjerët" - ia kthen kryeministri.

"Zoti Prokuror, mbaroi seanca e parë" - i thotë Ledio, Arjan Çanit..."Fut reklamat" - ndërhyn Rama.

Pas sulmit ndaj gazetarëve, kjo është një tjetër tentativë për të zhvendosur vëmendjen nga skandali i Tahirit, që po i rrëzonte qeverinë.

/TPZ.AL/E.H