TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
CDU-CSU, grupi më i madh parlamentar në Gjermani, ka ritheksuar sot përmes një deklarate nevojën për uljen e palëve në dialog, pa parakushte. CDU-CSU thotë se asnjë temë nuk duhet të përjashtohet nga fillimi.
Në deklaratën pas rekomandimit të Komisionit Europian për çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë, CDU-CSU, thotë se vendi ka ende shumë kushte për të plotësuar dhe vendos theksin se drejtësia nuk funksionon.
CDU-CSU, vëren po ashtu se ende nuk ka nisur një proces ligjor për politikanët dhe kriminelët të kapur në përgjime, në manipulimin e votave.
“Nuk është hapur asnjë proces gjyqësor kundër politikanëve dhe kriminelëve, që në fillim të vitit dolën se kishin të bënin me blerjen e votave”.
“Në këtë drejtim, Shqipëria ka nevojë për më shumë kohë për t’u përgatitur për negociatat e pranimit. Vendi duhet të bëjë çdo përpjekje për të përmirësuar kushtet për një vendim pozitiv të BE-së në shtator.
Kjo përfshin një dialog të vërtetë mes qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën shtetërore. Grupi parlamentar i CDU/CSU është ende i gatshëm që të ndihmojë. Të dyja palët duhet, megjithatë, të përgatiten për një dialog të tillë pa parakushte.
Asnjë temë nuk mund të përjashtohet që nga fillimi”, thuhet në deklaratën e sotme të grupit më të madh parlamentar në Bundestag.
Kjo është një thirrje e përsëritur e zyrtarëve të lartë gjermanë. Edhe më parë, ata janë shprehur se për të kaluar krizën, nuk mund të ketë tema tabu.
Ata i kanë konsideruar zgjedhjet pa opozitën si jo normale, dhe kanë thënë se nuk mund të përjashtohet si opsion edhe shtyrja e datës së votimit.