BOTA, 19 Prill 2025, 16:33

Mbi 90 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë gjatë 48 orëve të fundit

Mbi 90 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë gjatë 48

Më shumë se 90 persona kanë humbur jetën në Rripin e Gazës gjatë 48 orëve të fundit si pasojë e sulmeve ajrore izraelite, njoftoi sot Ministria e Shëndetësisë në Gaza. Sulmet janë intensifikuar ndërsa ushtria izraelite përpiqet të ushtrojë presion mbi Hamasin për lirimin e pengjeve dhe çarmatimin e tij, raportoi agjencia Associated Press.

Sipas stafit mjekësor në terren, mes viktimave janë 15 persona të vrarë gjatë natës, përfshirë gra dhe fëmijë që ishin strehuar në zona të shpallura humanitare.

Në qytetin jugor të Khan Younis, të paktën 11 persona u vranë, disa prej tyre brenda një tende në zonën Mwasi, ku janë strehuar qindra mijëra të zhvendosur.

Në qytetin e Rafahut, katër persona të tjerë u vranë nga sulme të ndara, përfshirë një nënë dhe vajzën e saj, sipas të dhënave nga Spitali Evropian.

Izraeli ka paralajmëruar përshkallëzim të mëtejshëm të ofensivës së tij në të gjithë territorin e Gazës dhe synon vendosjen e kontrollit mbi të ashtuquajturat zona të sigurta. Ndërkohë, prej gjashtë javësh, rripi i Gazës ndodhet nën një bllokadë të rreptë që ka kufizuar ndjeshëm hyrjen e ndihmave humanitare, ushqimeve dhe mallrave bazë.

Kombet e Bashkuara kanë ngritur alarmin mbi përkeqësimin e situatës humanitare, duke theksuar se mijëra fëmijë vuajnë nga kequshqyerja, ndërsa shumica e popullsisë arrin të konsumojë vetëm një vakt në ditë.

Lufta nisi më 7 tetor 2023, kur militantët e Hamasit sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë rreth 1,200 persona – shumica civilë – dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. Shumica e pengjeve janë liruar më vonë përmes marrëveshjeve të ndërmjetësuara.

Që nga ajo kohë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, ofensiva izraelite ka shkaktuar mbi 51,000 viktima palestineze, shumica gra dhe fëmijë. Organizata ndërkombëtare vlerësojnë se rreth 90% e popullsisë në Gaza është zhvendosur, shumë prej tyre të detyruar të jetojnë në çadra ose ndërtesa të shkatërruara nga bombardimet.