BOTA, 18 Prill 2025, 22:14

Trump: Bisedimet Rusi-Ukrainë kanë arritur në pikën kritike

Trump: Bisedimet Rusi-Ukrainë kanë arritur në pikën kritike

Presidenti amerikan, Donald Trump tha sot se bisedimet midis Ukrainës dhe Rusisë kishin arritur në pikën kritike, ndërsa këmbënguli se asnjëra palë nuk po “tregonte mungesë respekti” në përpjekjen e tij për t’i dhënë fund luftës, sipas AP.

Deklarata e Trump erdhi pasi sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio paralajmëroi më herët se SHBA-ja mund të “ndërpriste” përpjekjet për të siguruar një marrëveshje paqeje Rusi-Ukrainë – nëse nuk do te kishte progres në ditët në vijim – pas disa muajsh negociatash për t’i dhënë fund luftimeve.

“Nëse për ndonjë arsye njëra nga palët e bën shumë të vështirë, ne thjesht do të dorëzohemi”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

I pyetur nëse presidenti rus Vladimir Putin është duke zvarritur negociatat, Trump u përgjigj: “Shpresoj që jo”.

Rubio, tha sot se SHBA-ja mund të hiqte dorë nga përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për paqen Rusi-Ukrainë nëse në ditët në vijim nuk do të shihej progres.

Deklarata e tij erdhi në Paris pas bisedimeve historike midis zyrtarëve amerikanë, ukrainas dhe evropianë – ku u përpiluan skica për hapat drejt paqes.

Një takim i ri pritet javën e ardhshme në Londër – për të cilin Rubio tha se mund të jetë vendimtar nëse administrata Trump do të vazhdonte përfshirjen e saj në marrëveshje.