BOTA, 16 Qershor 2023, 16:44

“Mbi 1 mijë euro për tanket”, Putin josh ushtarët në frontin e luftës: Bonus për ata që shkatërrojnë pajisjet ushtarake të perëndimit

“Mbi 1 mijë euro për tanket”, Putin josh ushtarët

Ushtarët rusë që shkatërrojnë tanket Leopard të prodhimit gjerman dhe automjetet e blinduara të furnizuara nga SHBA të përdorura nga Ukraina do të marrin shpërblime. Kështu njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes ruse. Ministria shtoi se kjo ishte pjesë e një programi më të gjerë çmimesh në të cilin më shumë se 10,000 ushtarë rusë kanë marrë shpërblime individuale që nga fillimi i luftës gati 16 muaj më parë.

Sipas informacionit të dhënë nga komandantët rusë në fushën e betejës, “aktualisht po bëhen pagesa për ushtarët e Forcave të Armatosura të Federatës Ruse, të cilët gjatë operacioneve ushtarake shkatërruan tanke Leopard, si dhe automjete të blinduara luftarake të prodhuara në SHBA dhe të vendeve të tjera të NATO-s”, -njoftoi ministria.

Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu dha të dielën “Ylli i Artë i Heroit të Rusisë” për ushtarët për të cilët Moska thotë se shkatërruan tanke Leopard dhe automjete të blinduara luftarake Bradley të prodhuara në SHBA të përdorura nga Ukraina. Ministria njoftoi se deri më 31 maj, gjithsej 10,257 ushtarë ishin shpërblyer për shkatërrimin e 16,001 njësive të pajisjeve ushtarake ukrainase dhe perëndimore.

Sipas të njëjtit burim, tarifa për një automjet të blinduar të armikut është 50,000 rubla (547 euro) dhe për një tank 100,000 rubla (1,095 euro). Pilotët e Forcave Ajrore dhe operatorët e sistemit kundërajror marrin 300,000 rubla (3,284 euro) për çdo aeroplan ose helikopter ukrainas që shkatërrojnë. E njëjta shumë është tarifa për goditjet ndaj sistemeve të raketave Tochka-U dhe të prodhimit amerikan HIMARS.