BOTA, 2 Dhjetor 2023, 09:18

Gjykata “rrëzon” Donald Traump, ish-presidenti s’ka imunitet ndaj akuzave të ngritura ndaj tij

Gjykata “rrëzon” Donald Traump, ish-presidenti s’ka

Ish-Presidenti Donald Trump nuk ka imunitet nga akuzat penale për veprimet që ndërmori si president, tha gjykatësja të premten, duke refuzuar kërkesën e tij për të rrëzuar çështjen penale të ngritur nga Prokurori i Posaçëm Jack Smith ku e akuzon ish-presidentin për përpjekje për përmbysjen e humbjes në zgjedhjet e vitit 2020.

Gjykatësja Tanya Chutkan nuk gjeti baza ligjore për të konkluduar se presidentët nuk mund të përballen me akuza penale pas përfundimit të detyrës. Zoti Trump, tashmë kandidati kryesues në garën për emërimin e Partisë Republikane për të kandiduar përballë Presidentit Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2024, shërbeu në detyrën e presidentit në periudhën 2017-2021.

“Çfarëdo imunitetesh që një president në detyrë mund të gëzojë, Shtetet e Bashkuara kanë vetëm një drejtues të ekzekutivit, dhe ky post nuk të jep të drejtën e të qëndruarit jashtë burgut gjatë gjithë jetës”, shkruan gjykatësja në vendimin e saj.

Për shkak se ish-Presidenti Trump është i pari president apo ish-president amerikan që përballet me akuza penale, vendimi i Gjykatëses Chutkan është i pari nga një gjykatë amerikane që konfirmon se presidentët mund të akuzohen për vepra penale si të gjithë shtetasit e tjerë.

Todd Blanche, avokat i zotit Trump, nuk pranoi ta komentonte vendimin.

Vendimi i Gjykatëses Chutkan e sjell ish-Presidentin Trump një hap më afër përballjes me një juri gjyqësore mbi akuzat se ai komplotoi për të ndërhyrë në numërimin e votave elektorale dhe për të penguar çertifikimin nga Kongresi të fitores së zotit Biden. Trump është deklaruar i pafajshëm dhe ka akuzuar prokurorët për përpjekje për të dëmtuar fushatën e tij elektorale./Zëri i Amerikës