BOTA, 1 Dhjetor 2023, 19:45

Mbi 100 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë të premten

Mbi 100 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë të

Bombardimet izraelite në shtëpitë dhe ndërtesat e Rripit të Gazës i kanë vrarë rreth 100 njerëz, sipas zyrtarëve shëndetësorë në këtë enklavë, pasi luftimet rifilluan të premten pak minuta pasi skadoi marrëveshja e armëpushimit.

Izraeli e ka akuzuar Hamasin – grupin radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian – për shkeljen e armëpushimit, derisa Hamasi e ka akuzuar Izraelin, duke thënë se ai nuk i pranoi ofertat për lirimin e më shumë pengjeve.

Katari, ndërmjetësuesi i tyre, tha se përpjekjet po vazhdojnë për ta ripërtërirë armëpushimin, sipas të cilit Izraeli i pati ndërprerë shumicën e veprimeve ushtarake në Gazë dhe liroi të burgosur palestinezë, kryesisht gra dhe adoleshentë, në këmbim të lirimit të pengjeve të mbajtura nga Hamasi.

Mbi 100 pengje u liruan gjatë armëpushimit njëjavor, shumica e të cilëve dukeshin mirë fizikisht por të tronditur.

Izraeli thotë se 115 burra, 20 gra dhe dy fëmijë janë ende duke u mbajtur rob në Gazë.

Bombardimet dhe ofensiva tokësore disajavore i la shumicën dërrmuese të 2.3 milionë palestinezëve pa shtëpi dhe pa strehë, duke e shkaktuar një krizë humanitare.

Më shumë se 14.800 palestinezë janë vrarë – dy e treta e të cilëve fëmijë dhe gra – sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e sunduar nga Hamasi.

Rreth 1.200 izraelitë u vranë, shumica gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor në Izrael, i cili e nxiti këtë luftë./REL